Ruci: Berisha po përgatit vjedhjen e radhës

08/04/2010 19:30

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruci i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha që të heqë dotë nga mashtrimi i tij i radhës, që sipas tij do të bëhet me votimin elektronik.

Duke folur në seancën parlamentare, Ruci i ka kujtuar Berishës vjedhjen e votave të bëra sipas tij në vitin 1996 dhe në vitin 2009.

“Mos harroni se jeni presidenti i 96-ës dhe se jeni kryeministër i 2009-ës, kur vodhët në mënyrë primitive votat. Tani të ka ngelur të vjedhësh edhe me votim elektronik. Këtë po u premton shqiptarëve? Jo zoti kryeministër, shqiptarët duan zgjidhjen e krizës dhe jo votim elektronik. Merr në konsideratë kërkesën e opozitës për transparencë”, ka pohuar Ruci.

Më tej Ruci ka përsëritur apelin e tij për të shmangur mashtrimet, këtë radhë për ekonominë e vendit, e cila sipas tij është më e rrënuar se kurrë.

“Është e dyta herë që ne vijmë në sallë për të shfrytëzuar të drejtën e deputetëve dhe kryeministri zhvendos vëmendjen e opinionit publik. Zoti kryeministër, mirë që nuk punoni për zgjidhjen e krizës politike, por të paktën mos mashtroni opinionin publik me të dhëna të rreme. Nga 820 mijë familje që thotë kryeministri janë 752. Kryeministri gënjen edhe për eksportin, i cili në 2010-ën është sa ishte në 2008-ën. Importi për makineri është 25 përqind më poshtë se viti i kaluar. Inflacioni është nga 3.9 në 4.4%, zoti kryeministër”, ka shtuar Ruci.

Top Channel