“Kutitë” sërish në Kuvend

08/04/2010 23:55

Fraza e deputetit socialist Taulant Balla se “ne nuk jemi në këtë Parlament për çështje jashtë rendit të ditës, ne jemi këtu për të vetmen çështje të rendit të ditës të këtij Parlamenti, transparencën e zgjedhjeve”, mund të përmbledhë thelbin e diskutimeve në Kuvend.

Por kryeministri hodhi edhe njëherë në tavolinë idenë e votimit elektronik, të cilin përpara disa ditëve e cilësoi si më transparentin.

“S’ka më komisionerë, ka vetëm votim me gjurmën e gishtit, të barazuar me ID. Po, po! S’do të ketë më fletë votimi, do të ketë ekrane fletë votimi, s’do ketë më kuti votimi, cfarë do të thoni ju pastaj kur t’jua heq kutitë e votimit?! Ju ndryshoni statutet une do kristalizoj votimin dhe pastaj çfare do t’u mbetet ju?!”, tha kryeministri Berisha.

Në replikën e tij, kryetari i grupit socialist, Gramoz Ruci, i kujtoi kryeministrit 96-ën:

“Ke qenë kryeministri i 96, por mesa duket tani të ka ngelur edhe një merak i fundit, që të manipulosh zgjedhjet me elektronikë”, replikoi kreu i grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi.

Në fakt votimi elektronik konfirmojnë burime nga mazhoranca, po vlerësohet si një mundësi reale, që mund të diskutohet në një komision të ardhshëm të reformës zgjedhore. Vetë kryeministri disa më parë, ftoi anëtarët e këtij komisioni të për të marrë në këtë fushë eksperiencën e Estonisë.

Por në Kuvend, cështja e zgjedhjeve nuk ishte e vetmja. Kryeministri foli për një tregues ekonomikë dinamikë dhe shpresëdhënës.

 “Çdo qytetar shqiptar i punësuar në shtet do të ketë rritjen e premtuar të rrogës, ç’ka do të thotë që çdo pensionist shqiptar, në fshat apo qytet do të ketë rritjën e madhe të pensionit ashtu sikundër i është premtuar, ç’ka do të thotë që investmet do të vazhdojnë të realizohen sipas parashikimeve”, tha kreu i mazhorancëz, zoti Berisha.

Nga ana e saj opozita mbështeti idenë se vendi është në krizë:

“Mos mashtroni opinionin publik. Inflacioni është nga 3.9 deri në 4.4 zoti kryeministër dhe duhet të dini çmimin që zarzavatet janë 30 përqind më të shtrenjta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, frutat 15 përqind. Shërbimi shëndetësor për 800 mijë shqiptarët e pasiguruar është 5-fishuar shoku kryeministër. Uji zoti kryeministër është 20 përqind më i lartë se muaji mars, zoti kryeministër. Energjia elektrike dy herë me e lartë zot kryeministër”, replikoi Ruçi.

Ndërkohë Buroja e Kuvendi e mbledhur në fund të seancës pezulloi për 15 ditë deputetin socialist Taulant Balla që e cilësoi kryeministrin kryehajdut kavalier, kurse deputetit Saimir Tahiri, që tha se kryeministrit duhet t’i vijë turp që largohet nga salla kur flasin deputetët e opozitës, iu tërhoq vërejtje.

Top Channel