
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka vizituar Tiranën duke krijuar një rast të mirë që autoritetet më të larta të shtetit shqiptar të inkurajojne forcimin e insitucioneve në Kosovë.
Presidenti Bamir Topi theksoi frymën e tolerancës dhe të vullnetit për bashkëpunim, i evidentuar në marrëdhëniet me pakicat, sidomos me serbët e Kosovës, për ndërtimin dhe funksionimin sa më mirë të një shteti demokratik dhe multietnik.
Autoritetet shqiptare theksuan se pavarësia e Kosovës dhe njohja e saj është një proces i pakthyeshëm. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, shprehu bindjen se gjithnjë e më shumë vende do t’i shtohen listës së shteteve që kanë njohur Kosovën.
Në nje konferencë të përbashkët shtypi, zonja Topalli tha se, “Cilido qoftë mendimi këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ai nuk do të ketë asnjë efekt juridik mbi pavarësinë e Kosovës”.
Krasniqi është pritur edhe nga kryeministri Sali Berisha, i cili vlerësoi reformat e ndërmarra në Kosovë.
Në Tiranë ndodhet edhe koordinatori i qeverisë së Kosovës për Veriun, i cili është takuar me kryeministrin Berisha dhe ministrin e Jashtëm Ilir Meta.
Ata kanë shprehur mbeshtetjen e qeverisë shqiptare për zbatimin e strategjise së veriut të Kosovës, që synon forcimin e bashkëjetesës mes serbëve dhe shqiptarëve në këtë pjesë të vendit, duke përkrahur cdo iniciativë vendase dhe ndërkombëtarë për integrimin dhe harmoninë mes komuniteteve të Mitrovicës, ku vazhdojnë të veprojnë struktura paralele bllokuese nga segmente të politikës serbe.
Top Channel