Klosi: Qeveria kërkon të pengojë opozitën

08/04/2010 18:50

Deputeti socialist Blendi Klosi i është kundërpërgjigjur akuzave të ministrit të Kulturës Ferdinand Xhaferraj mbi cështjen e sheshit “Skëndërbej”, duke deklaruar se ai si gjithë anëtarët e qeverisë po tenton të pengojë opozitën.

“Ministri Xhaferraj, ashtu si dhe anëtarët e tjerë të qeverisë nuk dha një mënyrë për zhbllokimin e situatës. E vetmja politikë e juaja është si të pengoni opozitën”, i është drejtuar Klosi Xhaferrajt dhe deputetëve të mazhorancës në Kuvend.

Më tej Klosi ka rikonfirmuar politikën e PS për zhvillimin e protestave, me qëllim rrëzimin e qeverisë për shkak të varfërisë, edhe në ato zona që konsiderohen bastione të saj.

“Dje në zonën e ish-kënetës PS ka protestuar. Është një zonë që PD e quan bastion, por që jeton në një mjerim të pakrahasueshëm. Dje në ish-kënetë mijëra protestues iu përgjigjën thirrjes së opozitës për të kundërshtuar varfërinë”, është shprehur Klosi.

Më tej ish-ministri i Kulturës ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Berisha për këtë situatë. “Ju zoti Berisha talleni me shqiptaret dhe flisni për një rritje ekonomike. Entuziazmi i vetëm që kanë shqiptarët sot është t’i thonë mjaft kësaj qeverie”, ka nënvizuar Klosi. Në fund të fjalimit të tij ai i ka bërë thirrje kreut të qeverisë që të lejojë transparencën zgjedhore përmes hapjes së kutive të votimit.

Top Channel