Berisha: Ekonomia shqiptare, në rritje

08/04/2010 19:15

Kryeministri i vendit Sali Berisha, në fjalimin e tij në seancën parlamentare, ka deklaruar se ekonomia shqiptare po rritet me ritme mbresëlënëse.

Duke iu përgjigjur me pak ironi deputetëve të opozitës, Berisha ka theksuar se kjo rritje po ndihet tek 820 mijë familje shqiptare.

“Optimiste dhe shpresëdhënëse paraqitet ekonomia shqiptare. Këta tregues kanë një rëndësi të madhe për 820 mijë familje shqiptare që kanë buxhetin e tyre të bazuar në rroga dhe pensione”, ka pohuar Berisha.

Sipas kreut të qeverisë, eksportet në vend në këtë fillim viti kanë njohur një rritje marramendëse duke kaluar të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Eksporti ka një rritje fiks 144 përqind në vlerë. Eksportet shqiptare krahasuar me 3 mujorin e parë të vitit 2009 ishin gjithësej 6 miliardë e 91 milionë lekë. Në tremujorin e parë të këtij viti, këto eksporte u rritën me vlerën 14.8 miliardë”, është shprehur Berisha.

Ndër të tjera, kreu i qeverisë ka vlerësuar se në vend ka edhe rritje të prodhimit, si dhe ka premtuar rritje të mëtejshme të pensioneve.

“Kemi rritje të prodhimit, që nuk është e izoluar por e shoqëruar nga një rritje e të ardhurave në muajin mars me 25 përqind më shumë se në marsin e 2009. Do ketë rritje të pensionit ashtu sic është premtuar, c’ka do të thotë se investimet do të vazhdojnë sipas parashikimeve. Do ndërtohet boshti i jugut dhe pastaj shqipëria do të ketë atë që do të finalizojë një infrastrukturë të re”, ka nënvizuar Berisha.

Më tej kryeministri e ka vënë theksin tek cështja e kutive, duke deklaruar se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të ketë të tilla, pasi sipas tij do të votohet me një sistem elektronik.

“Do t’ju nxjerr juve nga kutia, s’do ketë në zgjedhjet e ardhshme as kuti, as komisione dhe as fletë votimi. Ju keni frikë nga teknologjia. Mos u tregoni prehistorikë. Do të marrë fund gjyqi i shëmtuar publik që po u bëni cdo ditë në parlament 20 mijë komisionerëve socialistë. S’do ketë më komisionerë, por vetëm votim me gjurmën e gishtit. T’ju rrojë lideri, humbjen e keni të sigurtë”, ka shtuar Berisha.

Top Channel