Përleshje të dhunshme mes policisë dhe protestuesve janë regjistruar në kryeqytetin e Kirgizstanit, Bishkek, ku sipas informacioneve të fundit katër persona kanë humbur jetën.
Mijëra mbështetës të opozitës janë përpjekur të sulmojnë zyrën e presidentit Kurmanbek Bakiyev, në shenjë proteste ndaj rritjes së cmimit të karburanteve dhe korrupsionit që ka ardhur në rritje.
Përleshjet vijnë një ditë pasi mijëra protestues sulmuan zyrat e qeverisë në qytetin veri-perëndimor të Talasit. Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë baza ushtarake në Kirgizstan, kanë bërë thirrje për qetësi.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se policia qëlloi drejt turmës jashtë selisë së presidentit Bakiyev, pasi nuk arriti ta shpërndante ate me gaz lotësjellës.
Dëshmitarë nga vendngjarja deklarojnë se të paktën katër trupa ishin të shtrirë në tokë, ndërkohë që burime mjekësore kanë bërë të ditur për agjencinë “Reuters” se shumë persona janë vrarë dhe se një dyzinë janë plagosur nga të shtënat.
Top Channel