Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, i kërkoi bankave që të ulin kostot për biznesin dhe individët.
Gjatë prezantimit të raportit vjetor të bankës në Kuvend, guvernatori tha se ekzistojnë mundësitë që bankat të ulin komisionet dhe interesat. “Unë mendoj që ka hapësira sepse BSH ka bërë të gjitha hapat e nevojshme për uljen e kostos së sistemit bankar. Mbetet që sistemi financiar të përshtatet sa më mirë në uljen me efektivitet të këtyre kostove. Ne do të marrim masat tona përkatëse dhe administrative në këtë proces”, theksoi Fullani.
Shqetësimi i kostove të larta bankare është prekur edhe nga vetë deputetët. Ish zv/ministri i Financave, Sherefedin Shehu, solli një rast ku bankat përmes komisioneve të padrejta dekurajojnë pjesëmarrjen e individëve në tregun e letrave me vlerë. “Pse bankat duhet të mbajnë dy herë komision kur individët blejnë bono? Ky është nonsense”, nenvizoi Shehu.
Në lidhje me gjendjen e ekonomisë, guvernatori tha se Shqipëria e përballoi mjaft mirë krizën ekonomike dhe se sistemi bankar mbetet i shëndoshë dhe i mirëkapitalizuar, pavarësisht rritjes së kredive të këqija. Megjithatë, guvernatori tha se gjatë vitit të kaluar kriza solli rënien e konsumit, atë të eksporteve dhe përkeqësimin e marrëdhënieve të ekonomisë me jashtë, të cilat kanë përgjysmuar rritjen ekonomike të vendit.
Top Channel