Është përkujtuar në qytetin e Durrësit 71 vjetori i rezistencës ndaj pushtimit italian. Në ceremoninë e përvitshme kanë marrë pjesë të gjithë drejtuesit e lartë të pushtetit vendor dhe qëndror në Durrës, përfaqësues të partive politike të majta e të djathta, veteranë dhe qytetarë durrsakë.
Ata kanë bërë homazhe pranë bustit të Mujo Ulqinakut, ku kanë vendosur edhe kurora me lule, si dhe kanë vlerësuar sakrificat e atyre që i bënë qëndresë ditën e 7 prillit të 1939 fashizmit, duke dhënë jetën e tyre për këtë vend. Në fjalën e rastit, kryebashkiaku Vangjush Dako revokoi historinë e 71 viteve të shkuara dhe më pas kur vendi u bë pjesë e aleancës antifashiste, ndërsa sot është antar i NATO-s, aleancës së lirisë.
Në prill të vitit 1939 qytetarët durrsakë u detyruan të braktisin qytetin, ndërsa të rinjtë dhe aktivistët e lëvizjes antifashiste u dërguan në kampet e përqëndrimit, mes tyre në kampin famëkeq të Mathauzenit ku shumë durrsakë humbën edhe jetën.
Top Channel