Kryeministri britanik, Gordon Braun ka njoftuar mospjesëmarrjen e tij në samitin e Uashingtonit, ku do të diskutohet mbi reduktimin e arsenalit të armëve të shkatërrimit në masë si dhe programin bërthamor iranian.
Lajmi njoftohet nga një zëdhënës i “Downing Street” i cili sqaroi se mospjesëmarrja e kryeministrit Braun lidhet me impenjimet e tij në fushatën elektorale dhe se në vend të tij në Uashington do të udhëtojë shefi i diplomacisë Devid Milibend. Zëdhënësi shtoi gjithashtu se për vendimin e kreut të laburistëve Uashingtoni u njoftua dhe se shprehu mirëkuptim të plotë ndaj Braun.
Samiti i organizuar nga Shtëpia e Bardhë do të mbahet në datat 12 dhe 13 prill dhe në të do të diskutohet mbi sigurinë globale ndaj armëve nukleare. Temë qëndrore në samit pritet të zërë programi bërthamor iranian si dhe mundësia e sanksioneve të reja ndaj Teheranit.
Top Channel