Punësimi, jepen 200 milionë lekë për bizneset

06/04/2010 08:50

Pas shumë negociatash dhe hezitimesh, qeveria aprovon fondin për nxitjen e punësimit që do të përdoret për vitin 2010.

Janë rreth 200 milionë lekë ose gati 2 milionë dollarë që do të menaxhohen nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit për llogari të bizneseve, të cilat kanë interes të shtojnë forcën punëtore.

Një pjesë e fondit, rreth 21.5 milionë lekë, ishte i mbartur nga viti 2009, i papërdorur nga zyrat e punësimit.

“Njoftojmë të gjithë punëdhënësit që janë të interesuar për programet e nxitjes të punësimit, të kontaktojnë me zyrat e punësimit në rrethe ku zhvillojnë aktivitetin, për të aplikuar për këto programe”, ishte deklarata e Shërbimit Kombëtar të Punës, pranë Ministrisë së Çështjeve Sociale.

Nga lista e qyteteve me fondet përkatëse, fondin më të madh e ka Tirana me 35 milionë lekë, e më pas Durrësi me 25 milionë lekë.

Këto para shkojnë për ato biznese që aplikojnë për programet e nxitjes së punësimit. Deri tani nuk ka një shifër të saktë se sa është numri i biznese që kanë përfituar në vite dhe punonjësit që kanë përfituar.

Vendimi për akordimin e fondit prej 200 milionë lekësh ka hyrë ditët e fundit në fuqi, me botimin në Fletoren Zyrtare.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA