Mustafaj: Berisha dhe Rama s’po bëjnë politikë

06/04/2010 08:25

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, akuzon dy liderët kryesorë, Berisha dhe Rama, se nuk po prodhojnë politikë.

Në një intervistë për BBC, ai thotë se që të dy nuk kanë dhënë propozime kompromisi për situatën.

“Politikanët për të cilët ju flisni dhe janë dominues në skenën politike shqiptare nuk prodhojnë politikë. Politikë prodhohet në demokraci. Qoftë në regjimet autoritariste apo diktatura ajo mungon. Që në simptomat se si u pritën zgjedhjet nga PS-ja dhe se si u përjetua fitorja nga PD-ja pashë rrezikun e shkuarjes përpara me një filozofi menaxhimi të jetës politike, shoqërore etj., se sa politikë. Në këtë kuptim nuk ka vend sot në Shqipëri për shprehjen “politika është arti i së mundshmes”, sepse bëhet shumë pak politikë”, ka deklaruar Mustafaj.

Sipas tij, me këto qëndrime Berisha dhe Rama po e largojnë vendin nga prespektiva evropiane, ndryshe nga sa po ndodh me vendet e tjera të rajonit.

“Nëse flasim për vendet e rajonit ne jemi si tren të gjithë bashkë që shkojmë drejt një horizonti të përbashkët që është Bashkimi Europian. Vagonët ama kanë shpejtësi të ndryshme, temperatura të ndryshme, nivel tjetër nëse flasim me metaforë. Mendoj se në vende të tilla si Kroacia apo Sllovenia bëhet politikë. Në rastin konkret ne po flasim për realitetin shqiptar”, ka shtuar Mustafaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA