Gjata: Të përmirësohet Kodi Zgjedhor

06/04/2010 08:35

Afrimi i zgjedhjeve, qofshin ato lokale, apo edhe të parakohshme si mundësi, aktualizon debatin për Kodin Zgjedhor, i cili kërkon ndryshime.

Ish-kryetari i KQZ-së, Çlirim Gjata, është ndoshta i pari që hedh disa ide konkrete, ku përfshihen disa alternativa teorike për Kodin e ri Zgjedhor, nisur nga problemet e hasura në 2009-n, por referuar edhe specifikës së zgjedhjeve lokale.

“E para, zbatimi i këtij Kodi ka çaluar tek administrimi, i cili në terma të tjerë përfaqësohet si shprehje e barazisë partiake. Pra, të dyja palët, shumicë dhe opozitë kanë një numër të barabartë komisionerësh. Ne problemet më të mëdha i kemi pasur gjatë votimit dhe gjatë numërimit, p.sh. në qendrat e votimit përvoja ka treguar se lejohet dhe tolerohen cedime nga dispozitat e Kodit”, ka pohuar Gjata, i cili ka përmendur edhe disa nga shkeljet që janë verifikuar kryesisht gjatë proceseve zgjedhore.

“Mund të përmendim këtu rastet e votimit familjar, për arsye të njohjes etj., shembuj të njohur pra. Por këtu duhet nënvizuar se kjo ndodh në prezencë të të dyja palëve, edhe pse ankimet nisin pas përfundimit të procesit. Pra, kemi një problem në këtë rast”, ka nënvizuar Gjata.

Më tej ai ka dhënë edhe sugjerimin e tij për zgjidhjen e këtyre problemeve. “Si mund të rregullohet kjo gjë? Kjo gjë mund të rregullohet duke ruajtur të njëjtën përbërje me komisionerë partiakë, por drejtimin ta ketë një nëpunës shtetëror. Dhe kjo të gjejë zbatim në të gjitha nivelet e administrimit zgjedhor”, ka shtuar Gjata.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA