Dhuna, FSHF: Masa të ashpra deri në përjashtime

06/04/2010 12:35

Me të gjitha masat e komisioneve juridike të FSHF-së, dhuna vazhdon të “mbretërojë” në kampionatin shqiptar të futbollit, duke u zhvendosur nga njëra kategori në tjetrën.

Fundjava futbollistike në këtë fillimprilli ka sjellë me vete dhunën të pashoq në Kategorinë e Parë dhe të Dytë. Incidentet e fundit u regjistruan në ndeshjen Ada-Bylis (1-1) në Velipojë.

Shkak ishin ndërhyrjet e ashpra mes lojtarëve, për shkak të të cilave serbi Milunoviç është larguar nga fusha në gjendje kome, ndërsa tre futbollistë të tjerë të ballshiotëve pësuan dëmtime serioze. Po ashtu, pati kontestime për një gjykim jo të drejtë nga ana e arbitrave.

Por episodet më të rënda janë shënuar të dielën në Kategorinë e Dytë. Në Kuçovë, në ndeshjen Naftëtari-Erzeni një gjyqtar anësor ka përfunduar në spital, ndërsa gjyqtari kryesor është kërcënuar, gjë që ka bërë në ndërprerjen e ndeshjes. Në periferi të Tiranës, në fshatin Yrshek, është ndërprerë një tjetër ndeshje, ajo mes Olimpikut dhe Mamurrasit, pasi vendasit nuk e kanë futur skuadrën në fushë në formë proteste ndaj gjykimeve të gjyqtarit Shkëlqim Balliu. Por më vonë është konstatuar se ky i fundit kishte braktisur ambientet, duke bërë që ndeshja të mos mundet të fillojë më.

Një atmosferë e tensionuar ka shoqëruar edhe takimin tjetër të Kategorisë së Dytë, Korabi-Tërbuni (0-0) në Peshkopi, pasi vendasve u është anuluar një gol i rregullt, gjë që ka çuar në konflikt me asistentin e takimit. Pikërisht këto episode dhune, të cilat nuk dinë të ndalen, kanë nxjerrë dje shefin e Sektorit të Garave në FSHF, Ilir Shulku, i cili ka reaguar ashpër. “Jemi duke mbledhur provat përkatëse dhe për momentin mund të them se do të analizojmë me kujdes gjithçka, paralajmëroi dje Shulku.

Komisionet do të japin vendimet e duhura dhe të gjithë shkaktarët e dhunës do të dënohen. Nuk do të ketë asnjë tolerim. Masat do të jenë të ashpra, madje edhe deri në përjashtime. Klubet e futbollit në Shqipëri duhet të kuptojnë se me këto qëndrime dhe me ligjin e ‘vetëgjyqësisë’ dëmtojnë veten. Pasi ato për çdo ankesë duhet t’i drejtohen Federatës, pasi dhuna në kampionat nuk justifikohet në asnjë moment”, përfundoi shefi i Sektorit të Garave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA