“Toyota”, gjobë rekord prodhuesit të makinave

06/04/2010 10:35

Departamenti amerikan i Transporteve i kërkon kompanisë “Toyota” që të paguajë një gjobë rekord prej 16.4 milionë dollarë, për shkak se nuk dha informacion mbi defektin tek pedali i gazit.

Departamenti thotë se kompania e prodhimit të automjeteve dështoi në njoftimin në kohë të problemeve me pedalet, duke nxjerrë në shitje makinat.

Administrata për Sigurinë e Trafikut në SHBA ka deklaruar se nga dokumentet e siguruara nga “Toyota” vërtetohet se kompania ishte në dijeni të defektit që në shtator.

Problemet me pedalin e gazit bënë që në janar të tërhiqeshin nga tregu një numër i madh makinash të markës japoneze.

“Toyota” ka tani vetëm dy javë kohë për të apeluar gjobën. Në një deklaratë në web site-n e saj kompania ka deklaruar se nuk ka marrë ende një letër zyrtare nga Administrata për Sigurinë e Trafikut për këtë cështje.

Top Channel