
Kur kishin filluar alarmet për krizën ekonomike globale, zyrtarë të shumtë në Kosovë patën deklaruar se Kosova është imune dhe se nuk do të preket nga kriza.
Por a mund ta prekë një vend edhe ashtu në krize, kriza globale dhe sa e thellë mund të bëhet ajo?
Njohësit e fushës ekonomike në Kosovë thonë se, pavarësisht mohimit të ndikimit të krizës globale, ajo ka prekur tërthorazi Kosovën, në veçanti buxhetin e varfër të familjeve kosovare.
“Fondet e Kosovës të investuara jashtë, por që kanë ardhur në rënie, tregojnë efektet e krizës. Nga ajo shqiptari mund të preket edhe drejtpërdrejt, pasi efektet nuk janë shumë të dukshme”, deklaron ekonomisti Ejup Gojnovci.
Problem serioz në këtë drejtim është mungesa e statistikave. Kjo ka bërë që të mos dihet se sa humbje ka pësuar Kosova.
Megjithatë, disa herë është pohuar se janë shënuar rënie të remitancave dhe humbje të qindra miliona eurove vetëm në trustin pensional të Kosovës. Gjithashtu, rrezik për Kosovën shihet edhe kriza greke.
“Viti 2009 ka pasur të dhëna shumë negative. Edhe ky vit është ndikuar tërthorazi nga kriza greke, nuk duhet menduar se kriza që ka prekur fqinjin tonë nuk mund të na prekë neve”, shton Gojnovci.
Top Channel