Grinden në lokal, plumba një 20-vjeçari

05/04/2010 08:55

Një grindje banale për pak i ka marrë jetën një 20-vjeçari nga Shkodra. Ai është plagosur me armë zjarri në këmbë, ndërkohë që agresorët e tij janë prangosur nga policia disa orë më pas.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen vonë të së shtunës, rreth orës 23.30, në periferi të qytetit të Shkodrës.

Burime zyrtare të policisë lokale bëjnë të ditur se i dëmtuari është Elison Bakrija, 20 vjeç, i cili është qëlluar disa herë me pistoletë nga dy bashkëmoshatarë të tij, por që fatmirësisht vetëm një plumb ka mundur t’i përshkojë trupin.

20-vjeçari ka marrë një plumb në pjesën e sipërme të këmbës dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale ndodhet jashtë çdo rreziku për jetën.

Sipas policisë lokale, ngjarja në fjalë ka ndodhur pas një grindjeje të çastit mes autorëve dhe të plagosurit, në momentin që kanë qenë duke konsumuar alkool, në ambientet e brendshme të një lokali në lagjen “Partizani” të qytetit të Shkodrës.

Pas sherrit që ka nisur me fjalë, të rinjtë janë përplasur fizikisht dhe më pas 20-vjeçari është qëlluar me armë zjarri pistoletë.

Menjëherë pas ngjarjes, autorët kanë mundur të largohen me shpejtësi. 20-vjeçari është transportuar me urgjencë për në spitalin rajonal të Shkodrës nga dëshmitarë të ngjarjes, ndërkohë që autorët e plagosjes së tij janë mundur të identifikohen dhe kapen nga uniformat blu katër orë më pas.

Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se të ndaluarit janë: Valter Demaj dhe Spartak Suta, të cilët dyshohen se janë autorët e plagosjes me armë zjarri të 20- vjeçarit Elison Bakrija.

Ndërkohë mësohet se ndaj dy të ndaluarve prokuroria e rrethit tashmë ka ngritur akuzat për veprat penale të “vrasjes së mbetur në tentativë, të kryer në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA