Dekanat-student, “kontratë” bashkëpunimi

05/04/2010 08:50

Protestat, ankesat, konfliktet dhe problematikat që kemi hasur këto vitet e fundit në universitete, duket se kanë gjetur zgjidhje, të paktën në masën mbi 50 për qind.

Bëhet fjalë për Universitetin e Tiranës, strukturat e këtij institucioni kanë miratuar një rregullore të brendshme shumëfunksionale, e cila do të legjitimojë gjithçka dhe çdo gjë mes studentëve dhe pedagogëve, dekanati dhe departamenteve, marrëdhënieve, kompetencave, liritë dhe përgjegjësitë.

Sipas rektoratit të Universitetit të Tiranës, kjo do të sjellë jo vetëm stabilizim të marrëdhënieve mes palëve, por njëkohësisht do të japë në mënyrë të shkruar të gjitha kompetencat që kanë pedagogët, studentët.

Në këtë rregullore përveç përgjegjësive, detyrave e kompetencave jepen të detajuara mënyrat e ankimimit të studentëve, kërkesave, koha që duhet të korrigjohen provimet deri në daljen e rezultateve.

Sipas kësaj rregulloreje përcaktohen qartë edhe kompetencat e qeverive studentore, të drejtat dhe detyrat e tyre, marrëdhëniet mes palëve. Ashtu siç sqarohet dhe nga UT-ja në këtë rregullore janë të përcaktuara qartë, limitet dhe korniza e secilit person që është pjesë e Universitetit të Tiranës.

Ashtu siç kishin sqaruar edhe qeveritë studentore, pas hyrjes në fuqi të rregullores protestat apo grevat e urisë, mendohet se do të eliminohen. Kjo për faktin se para çdo viti akademik studentët do të lexojnë rregulloren. Atje shprehet qartë, numri i provimeve, kreditet, kushtet për provimet e mbartura, kushtet për të ridhënë një provim apo edhe “sjelljet” e rrezikshme që të çojnë drejt stazhit.

Në këtë mënyrë duke qenë se kushtet dhe rregullat janë vendosur, ciklet e studimit janë parashikuar, kreditet, vlerësimi e gjithçka tjetër, çdo student do të jenë në dijeni të plotë për sa u përket procedurave nëpër të cilat do të kalojë gjatë viteve të studimit pranë njërit nga fakultetet e Universitetit të Tiranës.

Sakaq, publikimi i plotë i rregullores së sapomiratuar do të bëhet nga Rektorati i UT-së brenda pak kohëve. Kjo rregullore mbyll ciklin e dokumenteve të tjera, rregullatore dhe përcaktuese të veprimtarisë mes studentëve, pedagogëve, departamenteve dhe dekanateve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA