Berisha në Kuvajt: Financoni boshtin e Jugut

05/04/2010 08:30

Kryeministri Berisha u kërkoi dje liderëve të lartë të Kuvajtit mbështetje për projektin rrugor të boshtit të Jugut.

Në kuadër të vizitës zyrtare që Berisha po zhvillon në Kuvajt, bashkëpunimi ekonomik dhe investimet ishin temë kryesore e kreut të qeverisë me drejtuesit më të lartë të këtij vendi.

Gjatë takimit me Emirin e Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, Kryeministri shprehu interesin për zgjerimin e veprave infrastrukturore në vend, të cilat mund të financohen nga fondi kuvajtian i zhvillimit.

“Boshti i Jugut është një projekt shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe do të ishte një ndihmë shumë e madhe financimi i mëtejshëm për zbatimin e tij nga ana e qeverisë së Kuvajtit”, theksoi Berisha.

Shpresa të mira për mbështetjen e këtij investimi Kryeministri mori nga drejtori i përgjithshëm i Fondit Kuvajtian për Zhvillimin Ekonomik Arab, Abdulahab Al-Bader.

Sipas tij, Fondi i Kuvajtit ishte shumë i interesuar që të ishte pjesëmarrës në financimin e kësaj rruge së bashku me institucione të tjera të rëndësishme financiare të rajonit ku bën pjesë Kuvajti.

Nga ana tjetër, Berisha gjeti rastin ta falënderonte Abdulahab Al-Bader për fondin e akorduar nga qeveria e Kuvajtit për qendrën e Tiranës.

“Ky projekt, u shpreh Kryeministri Berisha, është një projekt i madh dhe i rëndësishëm si për Tiranën, zemrën e Shqipërisë, ashtu edhe për mbarë kombin”, vlerësoi Kryeministri.

Në bisedën me Emirin, Kryeministri theksoi se biznesmenët kuvajtianë në Shqipëri kishin pasur histori të suksesshme biznesi dhe këtu ndikonin edhe politikat e ndjekura nga qeveria shqiptare për biznesin.

Në këtë kuadër, Kryeministri u shpreh se qeveria shqiptare do të lehtësojë investimet kuvajtiane në fushën e rafinerive të naftës dhe në fushën e turizmit për ndërtimin e resorteve turistike dhe zonave të mëdha rezidenciale, si në zonën bregdetare ashtu edhe në atë malore.

Po kështu, ai theksoi se edhe impiantet e përpunimit të ujërave të pijshëm mineral janë një fushë me interes, ku investitorët kuvajtianë mund të kenë investime suksesi në Shqipëri.

Nga ana tjetër, Berisha theksoi se Fondi Kuvajtian mund të ishte pjesë e investimeve të mëdha për energji elektrike në vendin tonë.

Kryeministri Berisha e ftoi Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah-in që të vizitojë Shqipërinë, ftesë e cila u pranua me shumë kënaqësi nga Emiri i Kuvajtit. Ai u shpreh se në një kohë shumë të afërt do të kishte kënaqësinë që të vizitonte Shqipërinë.

Po dje, Berisha zhvilloi një takim me homologun e tij kuvajtian, Lartësinë e Tij, Sheikh Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah.

Përveç forcimit të bashkëpunimit ekonomik, në këtë takim u fol edhe për çeljen së shpejti të ambasadës së Shqipërisë në Kuvajt dhe ambasadës së Kuvajtit në Shqipëri, si një kontribut ky i mëtejshëm në bashkëpunimin mes dy vendeve.

Gjatë këtyre takimeve Berisha diskutoi me krerët e Kuvajtit edhe në lidhje me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Kuvajti. Kryeministri Berisha u shpreh se 68 vende e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe se të gjitha këto vende e kanë njohur duke e parë këtë si mënyrën e vetme për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Lidhur me këtë, Emiri i Kuvajtit u shpreh se të gjitha proceset që ndihmojnë dhe sjellin paqen e stabilitetin janë të mirëpritura nga Kuvajti. Ai u shpreh se Kuvajti nuk sheh asnjë kundërshtim në njohjen e pavarësisë së Kosovës, gjë e cila do të shihet me shumë seriozitet nga qeveria e Kuvajtit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA