Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka uruar të gjithë besimtarët shqiptarë të krishterë, për Festën e Pashkëve.
Nëpërmjet një mesazhi dërguar Imzot Rrok Mirditës dhe Kryepeshkop Anastas Janullatosit kreu i shtetit ka uruar “mbarësi, mirëqenie, gëzim e harmoni”.
“Kjo ditë e shenjtë në kalendarin e krishterë sjell për besimtarët katolikë e ortodoksë harenë dhe solemnitetin e një kremtimi madhështor ku vlerat njerëzore dhe hyjnore plotësojnë shpirtin, ku nderimi dhe përulësia ndaj të Plotfuqishmit rigjallërohet dhe kur besimi tek triumfi i mirësisë ringjallet dhe rimishërohet në veprat e në sjelljen e gjithësecilit prej nesh”, është shprehur Topi.
“Ne shqiptarët e kemi ndarë tradicionalisht së bashku gëzimin, ndaj edhe sot jemi pranë njëri-tjetri për të përjetuar atmosferën e mrekullueshme të Festës së Pashkëve e për t’i përcjellë shoqi-shoqit urimet më të mira e të sinqerta për paqe, mirëkuptim, begati, lumturi dhe për një të ardhme të sigurtë e të ndritur për mbarë kombin shqiptar. Gëzuar Pashkët!”, thuhet në komunikatën për shtyp të publikuar nga Presidenca.
Top Channel