Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, znj. Edith Harxhi, në kuadër të një vizite zyrtare në Romë, u prit dje në Farnezinë, në një takim dypalësh, nga nënsekretari i Punëve të Jashtme i Republikës italiane, senatori Alfredo Mantica.
Gjatë takimit, i cili ishte tepër i hapur dhe miqësor, u bisedua për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve, çështje të bashkëpunimit dypalësh, në prag të vizitës së ministrit të Jashtëm italian, Franco Fratini, në Tiranë, më 12 prill 2010, për procesin e liberalizimit të regjimit të vizave dhe integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, bashkëpunimin rajonal, si edhe për çështje të tjera.
Pikë kyçe e bisedës ndërmjet dy homologëve ishte çështja e liberalizimit të regjimit të vizave për Shqipërinë.
“Kjo është një çështje me një rëndësi tepër të veçantë për qytetarët shqiptarë”, u shpreh zonja Harxhi, duke theksuar se Shqipëria i ka përmbushur tashmë standardet teknike për finalizimin e këtij procesi.
Ajo mori konfirmimin e nënsekretarit të Jashtëm italian, se Italia ka mbështetur dhe vazhdon të jetë mbështetësi kryesor i Shqipërisë në këtë proces, i cili pritet të përmbyllet së shpejti, si dhe rikonfirmoi qëndrimin e Italisë për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Top Channel