Gjoba e mjedisit, reagon Bashkia

03/04/2010 17:10

Bashkia e Tiranës ka reaguar zyrtarisht për gjobën, duke e quajtur një keqëkuptim aksionin e Inspektoriatit të Mjedisit dhe gjobën për mungesën e lejes mjedisore.

“Në arkivin e Ministrisë së Mjedisit gjendet shkresa Nr. Prot. 2773,  Dt. 20.03.2009. Bashkangjitur shkresës, është relacioni përmbledhës i projektit, raporti i VNM-së (Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis), dokumentacioni i procesit të konsultimit publik si dhe fatura e pagesës së tarifës për lejen mjedisore. Pas një viti nga kjo kërkesë, Bashkia e Tiranës ka të drejtën të veprojë me parimin e miratimit të heshtur, ndërkohë që Ministrisë së Mjedisit i takon të zbardhë lejen përkatëse”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

“Bashkia e Tiranës bën me dije se disponon dhe miratimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës për projektin e sheshit “Skënderbej”. Bëjmë thirrje për dhënien fund të një konflikti të stisur, që ringjall praktikën e dënueshme të “Zogut të Zi”, vijon deklarata.

Në vijim, bashkia thekson se qeveria ka për detyrë të shpronësojë sa më shpejt godinën e INSIG-ut për hapjen e Unazës së Vogël dhe zgjidhjen e problemit të qarkullimit. “Kryeqytetasve e të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit u duhet sheshi i shekullit të ri e jo përsheshi i ri i politikës së vjetër”, mbyllet deklarata.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB