
Ecuria rekord prej kampioni e Skënderbeut ka “shqetësuar” jo vetëm opinionin sportiv, por edhe rivalët direkt në luftën për të mos rënë nga kategoria.
Pas fitores së djeshme të korçarëve 1-2 në Krujë ndaj Kastriotit, ka reaguar kundërshtari i radhës i “ujqërve të dëborës”, Flamurtari, i cili javën e ardhshme do të zbresë në qytetin juglindor të Shqipërisë për një sfidë direkt që do të vlejë për mbijetesën. Presidenti i klubit dhe njëkohësisht kryebashkiak i Vlorës, Shpëtim Gjika, ka kërkuar gjyqtarë të huaj. “Për ne, ndeshja në Korçë është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë në Kategorinë Superiore dhe mjaft e fortë. Do t’i kërkojmë Federatës Shqiptare të Futbollit, që ky takim të gjykohet nga një treshe e huaj, ndërsa shpenzimet e tyre do t’i paguajë të gjitha Flamurtari”, ka bërë të ditur Gjika.
Tashmë mbetet në dorën e FSHF-së vendimi përfundimtar për përzgjedhjen e një gjyqtari të huaj për këtë sfidë, edhe pse kjo do të vuloste përfundimisht mosbesimin e protagonistëve të futbollist tonë në “bluzat e zeza” shqiptare, të cilat jo pak herë kanë qenë në qendër të kritikave për gjykimin jokorrekt ose të njëanshëm në këtë sezon.
Top Channel