Kërkesa e opozitës për hetim parlamentar të zgjedhjeve dhe hapje të kutive të votimit duket se po hyn në një fazë kritike, tanimë për arsye teknike.
Deklarimet e para tri ditëve të kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, për asgjësimin e fletëve të votimit në muajin gusht, ka hapur debatin rreth vlefshmërisë së hetimit pa marrë në konsideratë këqyrjen e tyre.
“Nuk ka asgjë për t’u çuditur. Në Shqipëri po digjen përditë vende pune. Për fat të keq, reagimi i pushtetit dhe i strukturave të pushtetit vazhdon të jetë në kundërshtim me interesat e vendit”, deklaroi dje kreu socialist, Edi Rama, lidhur me këtë proces të paralajmëruar.
Përkundrejt këtij qëndrimi kundërshtues dhe që krijon premisa për delegjitimimin përfundimtar të komisionit hetimor, kanë ardhur edhe reagimet e para nga shumica e djathtë.
“Besoj që jemi në kohën e duhur që PS të ketë të gjitha mundësitë të vijë në komisionin hetimor, të bëjë kërkesat e saj për provat, të këqyrë materialet, ato çfarë ajo dëshiron dhe ligji lejon, dhe Kushtetuta lejon dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese lejojnë. Në këtë mënyrë nuk do të kërkohet të vendosë as në ngërç KQZ”, u shpreh me këtë rast, deputeti demokrat, Enkeled Alibeaj.
Top Channel