
Nuk do të jetë thjesht një derbi shqiptar në Premiership. Sfida e 10 prillit në stadiumin “Apton Park”, ndërmjet Uest Hemit të Valon Behramit dhe Sandërlendit të Lorik Canës, do të shërbejë për të reklamuar Kosovën.
Shteti më i ri në botë, i cili shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, ende nuk gëzon mbështetjen dhe njohjen e të gjitha vendeve të tjera. Kjo është arsyeja përse në takimin e javës së 34-t të kampionatit elitar në Angli do të paraqitet një reklamë promovuese: në impiantin e klubit në lindje të Londrës është rezervuar një hapësirë ku do të shkruhet “Kosovo, the young europeans”.
Lajmin e bën të ditur e përditshmja “Express”, ndërsa gjithçka konfirmohet nga Ekrem Tahiri, drejtori i “PR-Solutions”, kompanisë së marketingut, e cila është partnere e kompanisë izraelite për Kosovën, “Saatchi & Saatchi”. Marrëveshja për reklamën me menaxhuesit e stadiumit “Apton Park” ka përfunduar. “Në reklamat e stadiumit të Uest Hemit, për pesë-gjashtë minuta do të shfaqet edhe logoja ‘Kosovo, the young europeans’”, konfirmoi Tahiri. “Kemi punuar shumë gjatë rreth realizimit të kësaj ideje. Fillimisht kemi pasur vështirësi, sepse nuk ka pasur vend për reklamën tonë, por patëm fat që ishte liruar një vend, të cilin e shfrytëzuam”. Ai deklaroi se Federata Angleze e Futbollit – shtet, i cili ka qenë ndër të parët që mbështeti Kosovën – nuk do ta pengojë realizimin e kësaj reklame. “E gjithë kjo çështje nuk ka të bëjë me politikën dhe me federatën angleze.
Ashtu si edhe shtetet e tjera, që promovojnë veten e tyre, të njëjtën gjë po e bëjmë edhe ne. ‘Apton Park’ si stadium e ka pranuar ofertën dhe kanë arritur marrëveshje me partnerin tonë ‘Saatchi & Saatchi’; reklama do të shfaqet pikërisht në ndeshjen me Sandërlendin”, pohoi Tahiri. Lorik Cana dhe Valon Behrami kanë pranuar ta mbështesin idenë, duke veshur nga një fanellë me logon “Kosovo, the young europeans”. Ndërkohë, Tahiri bëri të ditur se synohej që reklama e financiar nga qeveria e Kosovës të paraqitej edhe gjatë “El Clasicos” në “Santiago Bernabeu”, ndërmjet Realit të Madridit dhe Barcelonës, por për këtë ndeshje të gjitha hapësirat ishin të zëna.
Top Channel