BSH: Qytetarët të investojnë te borxhi i qeverisë

03/04/2010 08:55

Banka e Shqipërisë publikoi një broshurë të re informative me synimin që të nxisë individët dhe kompanitë e vogla të zgjedhin borxhin e qeverisë për të investuar kapitalet e tyre të lira.

“Bonoja e Thesarit e qeverisë shqiptare është një instrument i negociueshëm borxhi me maturim deri në një vit, që emetohet dhe garantohet nga qeveria e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në broshurën që doli në qarkullim dje.

Borxhi publik i brendshëm i qeverisë shqiptare është një nga tregjet më fitimprurëse në vend. Në këtë treg shpërndahen rreth 300 milionë dollarë fitime nga interesat çdo vit.

Investimet në bono japin interesa mbi 8 për qind në vit dhe janë gjithmonë në lekë. Interesat paguhen në çastin e emetimit të bonove, gjë që ndodh zakonisht disa ditë pasi janë dorëzuar paratë.

Kjo bën që rentabiliteti real i lekëve të investuara të jetë shumë më i lartë se sa investimet në depozita. Shuma minimale e nevojshme për të marrë pjesë në blerjen e bonove të thesarit është 300000 lekë.

Kjo shumë mund të rritet me shumëfisha të 10000 lekëve. Aktualisht një numër i madh shqiptarësh i shijojnë interesat e prodhuara nga bonot e thesarit. Rreth 10 për qind e të gjithë borxhit publik të brendshëm të Shqipërisë është blerë aktualisht nga individët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB