Topi: Anëtarësimi në NATO, datë historike

02/04/2010 12:45

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në njëvjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, shpreh angazhimin e vendit për sfida të mëtejshme.

Në një përshëndetje për këtë ditë të shënuar, kreu i vendit shpreh mirënjohjen për të gjitha vendet anëtare të Aleancës, që besuan në forcën e Shqipërisë, në angazhimin e saj, në vendosmërinë dhe në seriozitetin e saj.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet e tjera, mike dhe aleate diskutojnë me ne sot çështje të rëndësishme të karakterit global dhe ndajnë me ne përgjegjësi të karakterit rajonal dhe të sigurisë nga pikëpamja politike dhe ushtarake, formulojnë së bashku me ne qëndrime për të ndërtuar strategjitë e sigurisë për të sotmen dhe të ardhmen e Aleancës.Forcat tona të Armatosura së bashku me trupat e tjera të Aleancës po përballojnë me kurajë dhe profesionalizëm një nga sfidat më të mëdha të saj për të vendosur paqen, sigurinë dhe rendin demokratik në Afganistan, për të cilat ne jemi shumë krenarë”, thuhet në përshëndetjen e Topit.

Kreu i vendit falenderon të gjithë popullin shqiptar, si dhe shpreh nderimin për të gjithë ata që dhanë jetën që kombi jetojë ëndrrën e tij.

Top Channel