Superliga, Dinamo humbet sërish

02/04/2010 19:30

Lëshimi i radhës i Dinamos dhe fitorja e 6-të radhazi e Skënderbeut e kanë ndërlikuar situatën e fundit e klasifikimit të Superligës pasi janë 7 skuadra që luftojnë për mbijetesën në këtë kategori.

Qetësia e 17 pikëve diferencë me vendin e dytë i ka dhënë mundësinë Dinamos të bëjë dhuratën tjetër në javët e fundit. Flamurtari i Maganit ka qenë fatlumi i kësaj javë që ka pranuar 3 pikët e fitores 2-1 me blutë e Mucës që janë shumë pranë titullit kampion.

Golat e Lenës dhe Memellit në pjesën e parë e kanë ngjitur Flamurtarin menjëherë në vendin e 8-të me 33 pikë në klasifikimin e përgjithshëm, 5 pikë më pak se 3 skuadrat që ndajnë vendin e 3-të, Laci, Tirana dhe Shkumbini. Skënderbeu ka përmbysur rezultatin në Krujë duke mposhtur 2-1 edhe Kastriotin, falë golave të Roshit dhe Markovic brenda 2 minutave.

Triumfi i 6-të radhazi në kampionat e ka ngjitur ekipin e drejtuar nga Mirel Josa në vendin e 7-të me 33 pikë. Sulejman Starova është rikthyer me fitore në stolin e Tiranës. Bardheblutë kanë fituar 2-1 në Fier me Apoloninë, me golat e Plakut dhe Muzakës duke i dhënë fund krizës së rezultateve pozitive në këto 3 javët e fundit. Pas fitores në kryeqytet javën e kaluar, Vllaznia e Edi Martinit ka fituar edhe në Shkodër këtë javë 2-0 me Besën që luajti më shumë se 80 minuta me 10 lojtarë, pas daljes me të kuq të Daniel Xhafës.

Teuta ka barazuar pa gola në fushën e vet me Lacin ndërsa Shkumbini ka fituar 2-1 me Gramozin duke zhytur akoma më shumë në fundin e klasifikimit kolonjarët që janë me 22 pikë, 8 pikë më pak Kastrioti i vendit të 11-të.

Top Channel