
Propozimi për “hetim ndërkombëtar” të zgjedhjeve të 28 qershorit nuk përbën një opsion të ri për shumicën në pushtet.
Prononcimi i kreut të socialistëve europianë Poul Nyrup Rasmussen lidhur me krizën politike shqiptare dhe ideja e një komisioni të ri ka ruajtur vetëm një vlerë mediatike.
Numri dy i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto, u shpreh dje për “Shqip” se në takimin e Bosnjës është trajtuar ideja e një asistence nga ekspertë ndërkombëtarë nëse kjo do të jetë e nevojshme dhe jo për përfaqësues në komision.
Por, në çdo rast, sipas tij, sugjerime të kësaj natyre nuk sjellin asgjë të re përtej propozimeve të shumicës brenda së cilës aderon edhe LSI-ja.
“Ne si LSI kemi kërkuar trajtimin e kërkesës së PS-së nga Komisioni i Venecias, që është një institucion i përbërë nga ekspertë ndërkombëtarë. Nga ana tjetër, edhe zgjedhjet e 28 qershorit u asistuan dhe u certifikuan nga ekspertë ndërkombëtarë, kështu që hedhja e një ideje të tillë nuk sjell asgjë”, theksoi Haxhinasto.
Top Channel