
Kartoni i kuq i Babel në minutën e 30 dhe dy 11 metërsha për skuadrën e Benfikës kanë vendosur humbjen e Liverpulit 2-1 në Lisbonë.
Skuadra angleze e drejtuar nga Benitez e nisi vrullshëm lojën duke kaluar në avantazh në minutën e 9. Supergoli i danezit Daniel Ager dha idenë se Liverpuli do ta siguronte kualifikimin për në çerekfinalet e Ligës Europiane që në ndeshjen e parë.
Por zënka e Babel me Luizao në minutën e 30 i prishi planet anglezëve, holandezi ndëshkohet me të kuq duke lënë për më shumë se 60 minuta skuadrën me 10 lojtarë.
Epërsia numerike i dha mundësinë portugezëve të marrin frenat e lojës në dorë. Barazimi ka ardhur në fillimin e pjesës së dytë falë një 11 metërshi të shndërruar në gol nga Kardozo i cili 20 minuta më vonë shënoi sërish nga pika e 11 metërshit duke vulosur fitoren e Benfikës. Gjithsesi 90 minutat në “Anfield Road” do të vendosin skuadrën që do të vazhdojë rrugën me tej në këtë kompeticion.
Ka përfunduar 2-2 derbi spanjoll i Ligës Europiane. David Vila me golin e tij në minutën e 82 ka shpëtuar Valencian nga humbja, një rezultat që i mban ende në lojë ata për kualifikim.
Hamburgu ka përmbysur rezultatin duke fituar 2-1 në fushën e vet me Standart Liezh falë golave të Petriç me 11 metërsh dhe Van Nistelroj.
Por goli i Mbokani për belgët ka lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit pas 7 ditësh.
Ndërkohë skuadra tjetër gjermane në këtë kompeticion, Uolfsburgu është mundur 2-1 nga Fulhami.
Top Channel