Klodi “çon” ambasadorët në Lezhë

02/04/2010 19:55

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë kanë zbritur në Lezhë, së bashku me nënën e Klodit, banorit të “Big Brother”, vetëm pak ditë pas protestave kundër këtij të fundit.

Në këtë takim, nëna e Klodit tha se për shkak të presioneve familja e saj braktisi qytetin.

“Në këtë moment kur pash sec po bëhej këtu, largova dhe tre djemtë e tjerë pas provokimeve që bën disa nga protestuesit”, shprehet nëna e Klodit, Lame Cela.

Ambasadori amerikan ndërsa bën një analogji me thirrjet raciste në Athinë kundër shqiptarëve thotë se edhe ajo që ndodhi në Lezhë ishte e ngjashme dhe është diskriminim. Duke përmendur protestat, Uidhers tha:

“Unë gjithmonë kam për të respektuar lirinë e fjalës. Në fakt kur liria për të folur shndërrohet në veprime kërcënuese saqë familja Cela detyrohet të arratiset nga shtëpia kjo shndërrohet në diskriminim. Unë e di që pjesa më e madhe e personave këtu nuk pranojnë veprimet e atyre të paktëve. Dhe ata nuk mbështesin personat që përdorin gjuhë të dhunshme, apo kërcënim fizik ndaj atyre që kanë jetuar këtu dhe kanë kontribuar. Ligji shqiptar mbron të drejtat e njeriut dhe kjo përfshin lirinë për të jetuar të lirë pamvarësisht nga orientimet seksuale. Klodi është në të drejtën e tij dhe zonja Cela është në të drejtën e saj që të jetojnë këtu pa frikë dhe të ecin lirisht në këtë qytet sikurse cdo qytetar shqiptar”, është shprehur ai.

Sikurse Uidhers, mbështetje për familjen Cela dha edhe ambasadori gjerman.

“Jam shokuar kur kam parë demonstrata dhe kur kam parë disa të rinj që deklaruan në një televizion se do të vrisnin Klodin dhe familjen e tij. Prandaj vendosëm që së bashku me kolegun tim, ambasadorin amerikan të vinim këtu në Lezhë për të dhënë mbështetjen dhe solidaritetin tonë për Klodin dhe familjen e tij”, deklaroi Bochard.

Por debati është ndezur më pas, kur edhe drejtues të bashkisë dhe prefekti i qarkut replikuan me nënën e Klodit duke mohuar që familja e saj të jetonte së fundmi në qytet.

“Me rezulton edhe nga bashkia se zonja Cela jeton në Durrës bashkë me vajzën e saj dhe mbesën”, u shpreh prefekti i Lezhës, Pal Dajci.

“Kur lindin deformimet edhe nga ju c’mund të bëhet me të tjerët. Unë jam banore e Lezhës dhe mund të vij këtu kur te dua”, replikoi e ëma e Klodit.

“Familja Cela ka jetuar në Lezhë prej vitesh, por janë shumë vite që nuk ndodhet në Lezhë”, tha sekretari i përgjithshëm i bashkisë, Pashk Smaçi.

Drejtues të shoqërisë civile nënvizuan faktin se të gjithë kanë të drejtë të jetojnë të lirë, ndërsa zëvendësministrja Filloreta Kodra tregoi se Shqipëria ka nje ligj që mbron minoritetet seksuale. Ndërkaq, drejtori i parkut arkeologjik të Lezhës ka shprehur mendimin kundër duke replikuar edhe me ambasadorin Uidhërs i cili u përgjigj se cështja nuk është sa kohë ka jetuar kjo familje në Lezhë, por që ajo kërcënohet. Takimi që zgjati tej cdo parashikimi dhe në një atmosferë të ndezur është mbyllur me premtimin e drejtorit të policisë së qarkut, Muharrem Furriku që garantoi se policia është e angazhuar për ta mbrojtur familjen e Klodit, nënën dhe djemtë e tjerë.

Top Channel