
Shqipëria mbush të premten, më datë 2 prill, 365 ditë si anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Dita e përkujtimit të 1 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO do të nisë me Konferencën Jubilare që do të mbahet në akademinë ushtarake “Skëndërbej”, ku do të jenë të pranishëm personalitetet shtetërore më të larta të vendit, përfaqësues të trupit diplomatik, si dhe ushtarakët më të lartë te Shtabit të NATO-s që janë të vendosur në Tiranë.
Dita përkujtimore do të mbyllet me nje koncert të madh festiv nga orkestra frymore e bashkuar, ku do të luajnë të paktën 100 instrumentiste, të cilët vijne nga Orkestra Frymore e Ushtrisë, Teatri i Operas dhe Baletit, Akademia e Arteve e të tjerë.
Koncerti, i cili do të zgjasë disa orë, është organizuar për t’u shfaqur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, tek hyrja e Pallatit të Kongreseve.
Për këtë arsye, drejtoria e policisë së qarkut Tiranë ka njoftuar se, nga ora 15 deri në orën 24 nuk do të lejohet parkimi dhe qarkullimi i automjeteve nga ura e Lanës pranë hotel ”Dajtit” dhe deri tek sheshi “Nënë Tereza”.
Top Channel