
Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Giovanni Pitella, në një intervistë për Top Channel e ka cilësuar situatën politike në Shqipëri të bllokuar nga një ngërc i madh dhe nga një politikë e helmatisur.
Zyrtari i lartë evropian ka bërë thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje që nuk cënon rezultatin e zgjedhjeve dhe që garanton zgjedhje të lira në të ardhmen.
“Është një situatë e një ngërci të madh, një klimë politike e helmuar. Kemi një kërkesë të opozitës për të hapur kutitë, jo për të ndryshuar rezultatin e votimeve, por për të dhënë një mesazh për të ardhmen. Pozicionet janë të ndalura në një vend, pa bërë progres. Të punohet për zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që votat të mos kushtëzohen”, ka thene Pitella.
Numri dy i PE-se ka vlerësuar se transparenca e zgjedhjeve është dicka e domosdoshme dhe ka nënvizuar se atë e ka kërkuar edhe faktori ndërkombëtar.
“Është në interes të të gjithëve. Transparenca është një rekuizitë nga komuniteti ndërkombëtar, nuk është akuzë ndaj askujt”, ka theksuar Pittella.
Më tej ai ka dhënë garancinë e tij se do të bëjë të gjitha përpjekjet e mundshme për liberalizimin e vizave për shqiptarët.
“Të gjithëve u thashë se do luftoj për përshpejtimin e procedurave për liberalizimin e vizave. Ne duam që të rinjtë shqiptarë të jenë të lirë të udhëtojnë. Por një situatë politike e mbushur më helmatisje dhe përplasje nuk e ndihmon këtë”, ka theksuar Pittella.
Ai ka shtuar më tej se BE nuk ka asnjë rezervë për rajonin e Ballkanit dhe se është tërësisht i angazhuar për stabilitetin e tij.
“Ne punojmë për stabilitetin dhe demokracinë, nuk janë dy gjëra që ecin me hapa të ndryshëm. Normalizimi i situatës në Ballkan është një sipërmarrje që po ndiqet nga të gjithë”, ka shtuar Pittella.
Top Channel