
Ndonëse në zgjedhjet e fundit parlamentare, përfaqësuesit e forcave të djathta politike premtuan kthimin e Lushnjës në një prefekturë më vete, afro një vit më pas Lushnja vazhdon të jetë një nënprefekturë.
Asnjë nga drejtuesit e pushtetit vendor e qendror në shkallë qarku nuk dinë të shprehen saktë se kur do të bëhen ndryshimet e premtuara.
Ngjarja më e fundit që tregon se Lushnja do të vijojë të jetë nënprefekturë është zgjedhja e kreut të ri të kësaj nënprefekture.
Daut Sulaj, i cili për katër vjet ka drejtuar nënprefekturën e Lushnjës është zëvendësuar dje me Florian Dhanin.
Emërimi i nënprefektit të ri është kryer paraditen e djeshme dhe në ceremoni kanë marrë pjesë deputetët e PD-së për Qarkun e Fierit: Sokol Olldashi dhe Mesila Doda.
Zëvendësimi i nënprefektit Sulaj me Dhanin nuk ka pasur një motivacion të fortë, por thjesht rifreskim drejtuesish.
Daut Sulaj pas postit që la do të drejtojë zyrën e drejtorisë arsimore në rrethin e Lushnjës, ndërkohë që pasardhësi i tij, Florian Dhani, vjen përsëri nga radhët e Partisë Demokratike.
Top Channel