Barça e Ibra “show”, por Arsenal barazon

01/04/2010 00:25

Mbyllet në barazim 2 me 2 superndeshja Arsenal- Barcelona, ndeshje kjo e vlefshme për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Ndërkohë në “San Siro” Interi i Murinjos fitoi minimalisht 1-0 ndaj moskovitëve të CSKA-së.

ë “Emirates” Arsenal dhe Barcelona dhuruan spektakël dhe gola, megjithëse fraksioni i parë i takimit u mbyll me rrjeta të paprekura.

Pjesa e dytë nis vrullshëm për katalanasit të cilët kaluan në avantazh me anë të suedezit Ibrahimoviç në minutën e 46-të, duke treguar edhe synimet e tyre në këtë takim. 13 minuta më vonë, një top perfekt i dhënë prej Xavi Hernandezit u shfrytëzua po në të njëjtën mënyrë prej Ibrës, duke shënuar golin e dytë, si personal ashtu edhe për skuadrën spanjolle.

Por disavantazhi prej dy golave nuk solli kapitullimin e Arsenal. Topçinjtë e Londrës gjejnë forcat dhe kundërpërgjigjen duke ngushtuar në 1-2 në minutën e 69, kur Teo Ualkot shënon vetëm 10 minuta nga goli i dytë i Barcelonës.

Në minutën e 85-të, pas largimit me karton të kuq të Karles Pujol, Cesc Fabregas realizon nga pika e bardhë e 11 metërshave duke barazpeshuar rezulatin. Minutat e mbetura nuk sollën ndryshim të tij. Gjithçka mbyllet 2-2, duke lënë të hapur sfidën e “Camp Nou”, ku Barcelona duhet të përballet me Arsenal pa kapitenin Pujol.

Në Milano Interi i vakët fitoi 1-0 ndaj CSKA-së së Moskës. Zikaltërit, ndryshe nga sfida me Celsin, u treguan të paqartë në lojën e tyre. Goli i takimit u shënua prej argjentinasit Milito vetëm 5 minuta nga përfundimi i kohës së rregullt të takimit.

Top Channel