Qeveria shqiptare pritet të marrë ndihmë teknike dhe këshillim ligjor nga Komisioni Ndërkombëtar për Njerëzit e Humbur, për gjetjen, zhvarrosjen dhe identifikimin e viktimave të kohës së komunizmit, bëjnë të ditur burime nga Kryeministria.
Komisioni, i cili njihet për veprimtarinë e tij në shumë vende të botës, por veçanërisht në Bosnjë, i ka dërguar një propozim zyrtar Kryeministrit Sali Berisha, i cili e ka pranuar atë, por lajmi nuk është publikuar ende.
Oferta e komisionit për ndihmë erdhi pas publikimit të lajmit për zbulimin e varrit masiv 313 në fshatin Linzë pranë Tiranës, ku familjarë të të ekzekutuarve gjatë kohës së komunizmit gërmuan privatisht dhe zbuluan skeletet e shumë njerëzve të tjerë të ekzekutuar në të njëjtin vend. Statistika të sakta nuk ekzistojnë, por besohet se rreth 3 mijë ose më shumë se gjysma e njerëzve të ekzekutuar gjatë kohës së komunizmit janë ende të groposur në varre pa shenja dhe pa emra.
Familjarët e tyre janë sorollatur për 20 vjet pa kurrfarë ndihme nga shteti për të gjetur eshtrat e njerëzve të tyre. Pas publikimit të lajmit më 9 shkurt në gazetën “Shqip”, qeveria shqiptare vendosi të krijojë një grup të posaçëm pune, të cilit i siguroi të gjithë aksesin e nevojshëm në arkivat e shtetit, përfshirë edhe arkivin e shërbimit sekret, për gjetjen, zhvarrosjen dhe identifikimin e eshtrave të të ekzekutuarve gjatë kohës së komunizmit.
Megjithëse Task-Forca për gjetjen e eshtrave u krijua, Shqipëria nuk ka kapacitetet e nevojshme shkencore për ta menaxhuar një proces të tillë. Një laborator për nxjerrjen e kodit gjenetik ADN nuk është ende funksional dhe i certifikuar, ndërsa arkeologët mjekoligjorë janë shumë të paktë. Komisioni ka kapacitete laboratorike për të identifikuar njëzet apo më shumë njerëz në ditë. Ndihma e tij për qeverinë shqiptare është ofruar falas. Tani pritet që qeveria të pranojë zyrtarisht ndihmën dhe të nënshkruajë marrëveshjen përkatëse, në mënyrë që të fillojë puna.
Nuk ka statistika të sakta për numrin e njerëzve që kanë humbur apo janë ekzekutuar gjatë kohës së komunizmit, por vlerësohet se disa mijëra njerëz janë ende pa varr.
Komisioni Ndërkombëtar mbi Njerëzit e Humbur u krijua në vitin 1996, me iniciativën e Presidentit Bill Klinton të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Roli kryesor është koordinimi i institucioneve të ndryshme të një vendi për gjetjen e vendvarrimeve të njerëzve të zhdukur gjatë konflikteve të armatosura, apo si pasojë e dhunimit të të drejtave të njeriut.
Pas zhvarrosjes, komisioni ballafaqon ADN-të e familjarëve të të zhdukurve me ADN-të e nxjerra nga eshtrat. Ai ka krijuar një databazë me ADN-të e rreth 90 mijë familjarëve të viktimave, si dhe ADN-të e eshtrave të rreth 30 mijë njerëzve. Deri tani janë identifikuar me këtë metodë rreth 16 mijë njerëz. Qeveritë e shumë vendeve, si dhe donatorë privatë, e financojnë këtë institucion.
“Në shoqëritë në tranzicion politik apo në proces ripajtimi dhe rindërtimi, pasiguria rreth fatit të personave të zhdukur shpesh pengon procesin e paqes, zbatimin e plotë të sundimit të ligjit dhe dobëson besimin tek institucionet demokratike. Zgjidhja e fatit të personave të zhdukur përbën shqetësim kryesor politik”, thuhet në faqen zyrtare të komisionit në internet.
Komisioni ka aktualisht aktivitet në të katër anët e botës. Në vendet e dala nga ish-Jugosllavia ka identifikuar viktimat e luftës, ndërsa në Azinë Juglindore ka punuar për identifikimin e viktimave të tsunamit në vitin 2004.
Top Channel