Vijojnë rritjen kreditë me probleme

31/03/2010 08:05

Kreditë me probleme në sistemin bankar shqiptar u rritën në 11.8 për qind të totalit të portofolit gjatë muajit shkurt, nga 11.6 për qind që ishin në janar, por ritmi i rritjes është shumë i ulët në krahasim me atë që ka ndodhur gjatë muajve të kaluar.

Në krahasim me shkurtin 2009, kreditë e këqija janë shtuar me 21.8 miliardë lekë, ose me 68 për qind. Të dhënat u publikuan nga shoqata e bankave. Rritja e pakët e kredive të këqija bëri që bankat ta mbyllin muajin shkurt me 400 milionë lekë fitime (rreth 2.9 milionë euro). Gjatë periudhës janar-shkurt ‘09, kur kriza botërore qe në kulm të saj, sistemi bankar pati realizuar humbje në masën 1.5 milionë dollarë.

Totali i aseteve të sistemit bankar u rrit në 906 miliardë lekë muajin e kaluar, me rritje 8.5 për qind në krahasim me shkurtin 2009. Depozitat kanë shënuar një rritje statistikore prej 15 për qind, por rritja reale vlerësohet se ka qenë më e ulët për shkak të efektit të kursit të këmbimit. Bilancet e bankave mbahen në lekë, ndërkohë që një pjesë e depozitave janë në valutë. Portofoli i kredive u rrit në 457 miliardë lekë ose me 10.6 për qind në krahasim me shkurtin 2009, kur kreditë qenë 413 miliardë lekë. Në terma realë, sasia e borxheve të kompanive është pothuajse e njëjta me një vit më parë, ndërkohë që kreditë për individët janë më të pakta.

Kreditë e këqija ishin në një nivel të papërfillshëm para fillimit të krizës ekonomike dhe botërore në shtator 2008, por filluan të rriten me shpejtësi pas kësaj për shkak të vështirësive ekonomike të hasura veçanërisht nga kredimarrësit mes biznesit. Te kreditë e këqija janë klasifikuar vetëm kreditë me vonesa të gjata, por bankat kanë shënuar edhe 29 miliardë lekë të tjera si “kredi të nënvijëzuara”, ku hyjnë klientët që kanë vonesa më të vogla se një muaj. Për këtë arsye, ekspertët besojnë se portofoli i kredive me probleme mund të vijojë të rritet edhe gjatë muajve të ardhshëm. Pavarësisht prej kësaj, sistemi bankar duket se nuk po has probleme nga humbjet e krijuara nga kreditë e këqija. Interesat e larta që zbatohen në Shqipëri në fushën e kreditimit janë në gjendje të mbulojnë humbje të konsiderueshme.

Edhe një samit tjetër si thikë me dy presa në Bruksel, edhe një marrëveshje e orëve të vona, pasuar nga poza vetëlavdëruese të udhëheqësve të BE-së: “Marrëveshja për financim emergjencash” për Greqinë tingëlloi si një marrëveshje e rëndësishme e natës së të enjtes. Por kur u zbardh dita e premte dhe u analizuan detajet, u kuptua se bëhej fjalë më shumë për tymnajë. Ata ju bënë budallenj për një minutë. Aspekti që më habiti më shumë qe njoftimi se ndihma për shpëtim do të vijë në formën e një kredie me interesa të përcaktuara nga tregu. Sigurisht që kjo nënkupton se tregu nuk do të jetë i gatshëm t’i japë para borxh Greqisë me interesat e tregut! Ky është një propozim absurd.

Në fakt është shumë e vështirë për t’u imagjinuar, qoftë edhe në një skenar hipotetik, në të cilin Bashkimi Europian do të japë ndihmë emergjence. Greqia do të duhet fillimisht të humbasë çdo lloj lidhjeje me tregjet financiare; në një rast të tillë, një kredi nga BE – me interesa të larta – do të zgjidhë ndonjë problem. Duke gjykuar nga disa komente të hedhura në Greqi, dyshoj se ideja e madhe është që të dilet nga kriza pa përdorur ndihmën, por duke përdorur vetëm premtimin për një fond emergjence si një mbështetje psikologjike për tregjet.

Kjo është një hile shumë e rrezikshme besueshmërie. Ajo do të kthehet në zjarr, ndoshta jo menjëherë, por gjithsesi më vonë. Nuk është surprizë që “Standard & Poor’s”, agjencia e vlerësimit, doli në përfundimin se vlerësimi i saj për Greqinë nuk u përmirësua nga marrëveshja e shpallur nga BE. Problemi i Greqisë nuk është vetëm aksesi te kapitali, i cili nuk ka qenë një problem përgjatë të gjithë krizës deri tani, por tek interesi që ky vend po paguan për borxhet e veta, të cilat janë shumë të larta. Qeveria greke ka shpallur se do të shkurtojë shpenzimet dhe do të ulë deficitin me 4 për qind të PBB-së.

Kjo do të sjellë një recesion të thellë dhe me gjasa, të gjatë. Kur një vend adapton masa të tilla kursimi, ka nevojë për ndihmë, thjesht që të dalë me sukses nga recesioni. Kjo do të vijë ose përmes një zhvlerësimi [monetar], ose nga një kredi me interesa të ulëta, që zakonisht vjen nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Por ideale është që të ketë një kombinim të të dyjave. Vetëm se Greqia nuk do të ketë asnjërën. Nën këto rrethana, mund të ndodhë që për qeverinë greke, falimentimi të jetë një opsion më i vlefshëm financiar, veçanërisht për shkak se 70 për qind e borxhit të këtij vendi është blerë nga të huajt. Nëse janë të mençur, ata do të marrin paratë e BE-së dhe pastaj do të falimentojnë. Në të gjitha rastet, falimenti duket destinacioni final, jo kreditë e emergjencës. Investitorët në tregjet e bondeve duhet ta dinë shumë mirë këtë.

Ne kemi ende disa pyetje të parehatshme që i kishim që para takimit. A është plani i Greqisë për shkurtimet e shpenzimeve realist? A do të jetë Greqia në gjendje të mbijetojë? Çfarë do të ndodhë nëse edhe Portugalia hyn në telashe? Po Spanja apo Italia? A ka ndonjë plan për t’u marrë me të gjitha këto? A do të pranojë ndonjëherë Gjermania përgjegjësinë për harmoninë e Eurozonës? Të gjitha këto pyetje nuk kanë marrë ende përgjigje.

Më duhet ta pranoj se takimet e orëve të vona të natës, lajmi dramatik për arritjen e një marrëveshjeje dhe një konferencë për shtyp nga udhëheqësit e BE-së, janë mjete shumë efektive për të bërë përshtypje te bota. Por politika e tymnajës nuk mund t’i bëjë budallenj të gjithë njerëzit dhe përgjithmonë. Kjo nuk do të përfundojë fort mirë.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA