Mainz, trajneri i jep besim Hykës

31/03/2010 13:10

Jahmir Hyka ka fituar vlerësimin e trajnerit të Mainz-it, Tomas Tushel për paraqitjen në takimin e fundjavës që sapo kaloi, përballë Volfsburgut, kampiones në fuqi të Bundesligës.

Për të dytën herë në këtë sezon, mesfushori i kombëtares shqiptare u aktivizua si titullar, ndërsa u zëvendësua vetëm pas 58 minutave lojë. Opinionistët e cilësuan jo të mirë paraqitjen e 22-vjeçarit kuqezi, madje u shprehën të habitur për faktin se ai u preferua përpara Trojan dhe Amrisë.

Por, trajneri Tushel mbrojti zgjedhjen taktike dhe e vlerësoi lojtarin. “Jahmiri e fitoi vendin falë impenjimit në stërvitje. Ai ishte shfaqur mjaft aktiv, ndryshe nga Trojan dhe Amri”, tha drejtuesi i stolit të Mainz-it.

“Jam i kënaqur nga paraqitja e Hykës, pasi në të vërtetë ai i zbatoi detyrat që i kisha përcaktuar. Por, nuk mund të prisnim që ai të shkëlqente në ndeshjen kundër kampionëve të Bundesligës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA