Komisioni i Ekonomisë miraton “avokatin” e biznesit

31/03/2010 08:25

Ndërsa bizneset debatonin me kreun e doganës për procedurat abuzuese të referencës, Kuvendi diskutonte mbi ligjin e ri që rriste rolin e taksapaguesit në hartimin e politikave fiskale.

Ironia e rastit shkoi deri aty sa deputetët demokratë të komisionit të ekonomisë trumbetonin me të madhe avantazhet e ligjit të ri dhe rolin e qeverisë në bërjen transparente të procedurave tatimore, ndërsa nga krahu tjetër bizneset që preken direkt nga ligjet fiskale përplaseshin me drejtuesin e doganës.

E gjitha ndodhi dje paradite, mes kuvendit ku diskutohej projektligjit dhe ambientit të një hoteli ku debatohej me kreun e doganës. Sipas variantit të ri të “procedurave tatimore”, propozohet ngritja e një strukture të re, pranë Drejtorisë së Tatimeve që do të shërbejë si “avokat” për problemet që bizneset kanë me Tatimet.

“Avokati i Tatimpaguesve është i autorizuar të investigojë dhe të ndërhyjë, nëse procesi i vlerësimit të detyrimeve tatimore apo procesi i apelimit nuk kryhen në përputhje me procedura e vendosura në ligj”, tha drejtoresha e politikave fiskale në Ministri të Financave, e pranishme në komision.

Debate mes deputetëve pati për burimin e financimin të Këshillit Tatimor, një tjetër strukturë që ngrihet në kuadër të transparencës. Në këtë këshill parashikohet të marrin pjesë 18 anëtarë, ku 12 do të jenë nga fusha e biznesit. Komisioni i Ekonomisë votoi pro dy ndryshimeve në projektligj, por shtoi se nevojiten më shumë saktësime sa i takon Avokatit të Tatimpaguesve dhe funksionit të Këshillit Tatimor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA