E nisur me trumbetime paraelektorale dhe prerje shiritash, aty ku nuk janë prerë pyjet e Bukanikut turistik nga vetë Berisha, ky aks rrugor është bllokuar për mungesë fondesh.
Në shkurt të vitit të kaluar kreu i qeverisë është ngjitur deri lart në Gjinarin turistik, shoqëruar nga një “tabor” i madh, duke deklaruar se “rruga e re që lidh Elbasanin me Gjinarin do t’i japë kësaj zone turistike të tjera vlera, ndërsa ekonomisë vendore tjetër progres, sikurse do të tërheqë turistë vendas e të huaj”.
Në fakt, dy javë para se Berisha të ngjitej në Gjinar, 22 kilometra larg Elbasanit, firmat fituese të tenderit kishin nisur rikonstruksionin e rrugës me paratë e shtetit, rreth 400 milionë lekë. Në projekt përfshihet zgjerimi i shtratit të rrugës, vepra arti dhe asfaltim, me dy korsi. Pas mbarimit të fazës së parë, zgjerimi dhe mbushja me gjatësi 22 km, firmat prisnin çeljen e fondit për vijimin e punës, por disbursimi po vonon.
Ka më se dy javë që janë bllokuar punimet në tërë gjatësinë e këtij aksi malor. Madje, firmat kanë tërhequr makineritë e rënda, rreth dy javë më parë, duke u justifikuar se “nuk punohet për shkak të rrëshqitjeve”.
Top Channel