Banka Botërore ka punësuar zëvendëspresidentin në pension të gjykatave austriake të Apelit për të mbikëqyrur proceset gjyqësore që kanë nisur për dëmshpërblimet e banesave dhe bizneseve të shembura në prill 2007, ndërkohë që qeveria shqiptare e ka pranuar këtë mbikëqyrje përmes një marrëveshjeje të firmosur.
Lajmi bëhet i ditur nga dokumente të Bankës Botërore që janë publikuar në faqen e saj zyrtare në internet. BB ka publikuar raportin e saj të dytë në lidhje me premtimin e dhënë për të ndihmuar familjet e dëmtuara nga keqpërdorimi i emrit të saj.
“Vëzhguesi i pavarur i bankës, zëvendëspresidenti i gjykatave të Apelit të Austrisë në pension, ka ndjekur personalisht dy nga seancat gjyqësore në dy misione të ndryshme në Shqipëri. Seancat e tjera janë ndjekur nga një vëzhgues vendor që punon nën mbikëqyrjen e vëzhguesit të pavarur”, shkruan banka në raportin që i drejtohet bordit të drejtorëve. “Deri tani, skuadra e vëzhguesve ka vërejtur se gjyqet kanë ecur si procese ligjore të pranueshme”.
Megjithëse zyrtarisht gjykatat në Shqipëri janë të pavarura nga qeveria dhe jashtë ndikimeve politike, Banka Botërore ka kërkuar garanci për rastin konkret dhe qeveria ka pranuar vëzhguesin e huaj, duke na bërë të ditur se gjykatat shqiptare gjithsesi mbeten ashtu siç i njohim ne të gjithë.
Banorët e Jalit kërkojnë në gjykatë nxjerrjen të pavlefshme ose të parregullt të akteve të Policisë Ndërtimore, e cila zyrtarisht kreu shkatërrimet e pronave të tyre. Por në gjykatat shqiptare, statusi ligjor i ndërtimeve pa leje është i paqartë. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese vë në dukje se ndërtimet pa leje ekzistojnë ligjërisht dhe duhet të trajtohen nga gjykata, kur u shqyrtua një rast divorci, ku çifti në proces ndarjeje zotëronte një apartament me shtesë pa leje. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte që në këtë rast shtesa pa leje duhej të administrohej si ekzistuese nga gjykata dhe të ndahej njësoj si pjesa me leje e apartamentit. Por në rastet e tjera, gjykatat kanë refuzuar të pranojnë ekzistencën ligjore të një ndërtimi pa leje.
Qeveria shqiptare është zyrtarisht e shqetësuar nga ky zhvillim, për shkak se një proces i tillë mund të krijojë një precedent që mund të shfrytëzohet nga mijëra raste të tjera të shembjes së ndërtimeve pa leje nga ana e policisë ndërtimore, procedurat ligjore të së cilës kanë qenë gjithmonë kaotike e në shumë raste joprofesionale.
“Përgatitja e padive individuale dhe dorëzimi i tyre në Gjykatën e Tiranës ka marrë më shumë kohë nga sa pritej, por gjithsesi është kryer. Tetë nga nëntë familjet i kanë dorëzuar paditë. Në tre nga tetë çështjet e ngritura, gjatë dhjetorit 2009 dhe janarit 2010, janë kryer seancat paraprake, ndërsa në një rast është arritur deri te seanca e tretë. Pesë çështje të tjera u hapën në shkurt dhe mars. Nuk është e pazakontë që për raste të kësaj natyre në gjykatë të kryhen tetë deri në dhjetë seanca para se të mbërrihet te gjykimi final”, thotë banka në raportin e vet.
Top Channel