Shkupi kërkon aleatë në Tiranë

30/03/2010 20:15

Presidentët e Shqipërisë dhe Maqedonisë kanë zhvilluar një bisedë telefonike në lidhje me thirrjet raciste të një toge ushtarësh grekë, ku sulmoheshin si shqiptarët edhe maqedonasit.

Por biseda e zhvilluar dje me kërkesë të presidentit maqedonas, është bërë publike vetëm sot. Të parët që e kanë njoftuar lajmin kanë qenë maqedonasit. Presidenti Ivanov është cituar nga një angjensi vendase për këtë bisedë dhe vetëm më pas, zyra e shtypit e presidencës shqiptare ka nxjerrë një njoftim të shkurtër.

Në këtë njoftim sqarohet se biseda telefonike është bërë me kërkesë të presidentit Gjorgje Ivanov. Ky i fundit i ka shprehur shqetësimin e tij presidentit Topi për situatën e krijuar nga sjellja e ushtarëve grekë. Sipas njoftimit, presidenti Topi i bëri të ditur presidentit Ivanov se e konsideron këtë një ngjarje të izoluar, e cila nuk prek kurrësesi marrëdhëniet e mira që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Greqisë. “Për më tepër, presidenti shqiptar e konsideron këtë si një çështje të tejkaluar“, njofton zyra e tij shtypit.

Presidenti Topi  vlerësoi ndjesën e autoriteteve greke për ngjarjen, duke ndarë sjelljen e disa individëve nga sjellja institucionale“, thuhet më tej. Në fund, presidenti Topi i ka thënë homologut të tij Ivanov se marrëdhëniet në rajonin ballkanik nuk duhet të influencohen nga ngjarje të izoluara. Pra, duket qartë se ka qenë Shkupi zyrtar që ka kërkuar aleancë në Tiranë, nën dritën edhe të një vizite zyrtare që presidenti Topi do të zhvillojë në mes të prillit në Shkup. Vizitë që nga pala shqiptare konsiderohet shumë e rëndësishme.

Por përgjigjia e dhënë, që na njeh për herë të parë me qëndrimin e Presidencës Shqiptare për ngjarjen, dëshmon se presidenti Topi ka refuzuar të vendoset në mes të mosmarrëveshjeve që Shkupi ka me Athinën. Për Shqipërinë, rëndësi ka qëndrimi zyrtar i shtetit grek, që zyrtarisht mbështet aspiratat integruese të Shqipërisë, sidomos tani, kur pritet një vendim për liberalizimin e vizave. Megjithatë, në lidhje me ngjarjen, Tirana zyrtare reagoi menjëherë publikisht, kurse Shkupit iu deshën plot 3 ditë pas ngarjes për të dalë me një deklaratë të një zëdhënësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA