Një mbrëmje vërtet emocionuese ka qenë ajo e mbrëmshmja e spektaklit të madh të “Big Brother” në “Top Channel”.
Prania e Fabrizio Corona-s, mbretit të paparacëve italianë brenda shtëpisë, surpriza e babait të Oltës dhe Domenikës, ka prekur jo vetëm banorët, por edhe publikun. Largimi i Bertinës prej shtëpisë së “Big Brother” ka shkaktuar jo pak mërzi për atë vetë, Erionin, por edhe mes banorëve të tjerë.
Ada: Dua të njihem më mirë me Erionin
Ajo tregon për publikun se ka kaluar një javë shumë të mirë jashtë shtëpisë së “Big Brother”. Ajo tha se është zhgënjyer prej Klodit edhe pse e ka falur, ajo e ka të vështirë ta ndjekë atë. Pyetjes së Arjan Konomit se me cilin do të kishte miqësi po të vazhdonte të qëndronte aty brenda ajo iu përgjigj ndoshta me Mandin. Më pas asaj iu dha mundësia të fliste me Klodin, Erionin dhe Oltën. Ajo i tha Klodit që do ishte mirë të falte vetë veten pa i dhënë më shumë shpjegime. “Duke të parë nga ekrani ti nuk më jep asnjë lloj efekti”, i tha ajo. Ndërsa Oltës i tha që e ka ndier shumë mungesën e saj. Për sa i përket Erionit, Ada tha se do të donte që kur të dilte jashtë ta njihte më mirë atë. Për sa i përket Erionit, Ada tha se do të donte që kur të dilte jashtë ta njihte më mirë atë. Bertina tha se duhet të sqarojë këtë muhabet deri në fund. Ndërsa Ada duke u larguar në lidhje me këtë çështje tha se atë që nuk e dha aty brenda e dha përjashta.
Fitojnë provën e javës
Gjatë spektaklit, konkurrentët kanë pedaluar dy biçikleta. Kjo situatë lidhej me provën e tyre të javës, e cila parashikonte që ata duhet të pedalonin vazhdimisht në mënyrë që të evitonin fikjen e një drite e cila lidhej drejtpërdrejt me pedalen derisa të përmbushnin kështu plot 8 kilovat energji. Ata kanë vazhduar kështu derisa Vëllai i Madh ka vendosur të binte gongu i përfundimit të provës. Ai ka vendosur ta shpallë këtë lojë të fituar. Si rrjedhojë buxheti i tyre është 600 lekë për person. Por duke qenë se banorët e kanë tejkaluar këtë provë, atëherë “Big Brother” ka vendosur t’u dhurojë edhe një surprizë tjetër gjatë javës së ardhshme.
Tatiana e Manal
Arbana i ka komunikuar Tatianës dhe Manalit se Vëllai i Madh i ka ndjekur me shumë vëmendje. Ai ka vlerësuar gjatë kësaj jave sjelljen e tyre, zhdërvjelltësinë dhe elasticitetin për t’u integruar me banorët pavarësisht se ishin konkurrente të reja dhe të huaja. Për këtë arsye Arbana u ka komunikuar se Vëllai i Madh ka konfirmuar se ato kanë fituar statusin e konkurrenteve të mirëfillta.
Të nominuarit eliminimi
Mes Hakiut, Klodit, Oltës e Bertinës ka qenë pikërisht kjo e fundit, vajza nga Delvina, e cila është larguar përfundimisht prej shtëpisë së “Big Brother”. Erioni, djali me të cilin Bertina ka një lidhje brenda shtëpisë nuk e ka fshehur mërzinë dhe nervozizmin për largimin e saj.
Fabrizio Corona, në “Big Brother”
Një i ftuar special ka marrë pjesë në spektaklin e mbrëmshëm të “Big Brother Albania”. Fabrizio Corona, mbreti i paparacëve, italianë njëkohësisht edhe personazh i njohur i botës së spektaklit ka hyrë në shtëpi në dhomën e bardhë ku janë vendosur fotot e realizuara prej banorëve me veshje të Bonavitës dhe ai zgjodhi tri fotografitë më të bukura sipas tij. Ai është imazhi i Bonavitës. Gjatë kësaj vizite ai kishte në dorë edhe dy zarfe të kuq, njërin për Oltën e tjetrin për Domenikën. Pasi takon të gjithë banorët dhe u dorëzon zarfet vajzave, ai largohet nga shtëpia e “Big Brother”. Veç pranisë së tij në “Big Brother” Fabrizio Corona do të jetë i pranishëm edhe në programin “E Diell” që do të transmetohet si çdo javë, sot në “Top Channel”.
Baballarët, surprizë për Domenikën dhe Oltën
Olta është e para që hap zarfin. Ajo shikon një faqe gazete ku babai i saj ka thënë se është zhgënjyer prej saj. Ai ka thënë se kjo që shikon nuk është vajza e tij. Këto fjalë të rënda e kanë prekur shumë atë. Ndërkaq, Arbana e fton të shkojë në dhomën e kuqe e cila është mobiluar me objektet e shtëpisë së saj, kolltukun, një vazo me lule, dy tavolina të vogla mbi njërën prej së cilës është vendosur një kuti bizhuterish, si dhe një kornizë me foton e familjes. Arbana i shpjegon publikut se fjalët e të atit të Oltës, të shprehura në artikullin e gazetës, kishin për objektiv marrjen e një reagimi të saj. Olta me të atin ka pasur përherë një raport kompleks, por të fortë. Olta takohet me të atin dhe mëson që artikulli i botuar në suplementin “Big Brother” ka qenë vetëm një shaka. Edhe Domenika ka hapur zarfin e saj. Ajo shikon në monitor një mesazh prej dy motrave të saj, Nomei dhe Klaudja, të cilat i kërkojnë të bashkohen së bashku dhe i shprehin mungesën. Njëkohësisht në monitor shfaqet edhe një mesazh prej të atit që i thotë se do ta kërkojë derisa të ketë të rrahurat e fundit të zemrës. Arbana i kërkon që kur të jetë më e qetë me ide më të qarta të mendojë për t’u rilidhur me babanë dhe motrat e saj. Për të mbyllur ose hapur portën e zemrës saj. Ajo thotë se zemra edhe pse është e mbyllur ka një hapësirë të hapur për t’i lënë vend shpresës.
Zbulohet Misteri i Zarfit Blu
Në zarfin blu i cili shtoi kureshtjen e banorëve dhe të publikut fshihej një komunikim i rëndësishëm prej Vëllait të madh. Gjatë spektaklit të mbrëmshëm përmes këtij zarfi u komunikua se BB ka vendosur se kohëzgjatja zyrtare e këtij reality show do të zgjatet me dy javë. Njëkohësisht banorëve u është dhënë mundësia të shtojnë edhe çmimin e tyre final gjatë. Gjatë javës që vjen ata do t’iu nënshtrohen disa provave të vështira dhe që mund të dëmtojnë ndonjërin prej tyre. Një prej këtyre provave nisi qysh mbrëmjen e djeshme. Në oborr, banorët kanë gjetur të shtruar një tavolinë me gatime “të veçanta”. Ata kanë provuar të hanë ushqime të pështira dhe të neveritshme. Ky është vetëm fillimi i provave të vështira nëpër të cilat duhet të kalojnë për të arritur çmimin përfundimtar të “Big Brother”.
Top Channel