Një letër e shkruajtur nga Hitleri në vitin 1931, ku shpresoheshin marrëdhënie të përzemërta me Britaninë e Madhe, do të dalë në ankand ditën e sotme në Londër.
Në rreshtat e shkruajtur në një faqe të vetme dhe adresuar gazetarit të asaj kohe në Londër, Sefton Delmer, Adolf Hitleri hedh shpresat e tij për një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve “për të lënë pas armiqësinë diplomatike që shoqëroi periudhën e pas Luftës së Parë Botërore”.
“Shpresoj që pas kësaj krize, një mendim i ri do të lindë në Britani, për të lënë pas krahëve 12 vitet e fundit të marrëdhënieve tona. Do të isha i lumtur nëse pas marrëdhënieve të rënduara nga psikoza e luftës, do të ishim në gjendje të realizonim një bashkëpunim miqësor e të përzemërt me Britaninë, objektiv ky që populli gjerman e dëshiron, po ashtu edhe forca ime politike”, shkruhet ndër të tjera në letrën e Hitlerit.
Letra daton e shkruajtur 16 muaj para ngjitjes së Hitlerit në postin e kancelarit në vitin 1933 dhe vlera e saj në ankand do të nisë nga 12 mijë paund.
Top Channel