Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona MakIlluam mbërriti në kryegjyshatë ndërkohë që ambasadori i OSBE-së Robert Bosch ndodhej brenda.
Ata dolën bashkë dhe përpara kamerave ndaloi ambasadori Bosch. U duk qartë se për këtë kishin rënë më parë dakort me njëri-tjetrin.
“Sic mund ta imagjinoni, jam jashtëzakonisht i zhgënjyer. Ju e dini që javën e shkuar u bëra thirrje të dy palëve për të arritur një kompromis. Dhe kompromis do të thotë që ta dëgjonin njërit-tjetrin. Parlamenti është vendi ku negociohet një kompromis dhe ajo që pamë ishte që të dy palët përsëritën këndvështrimet e tyre pa mbarim, pa fund. Dhe nuk pati debat, vetëm deklarime dhe kjo ishte pikërisht ajo që nuk donim të ndodhte”, ka deklaruar Bosch.
Ambasadori ka theksuar se kjo ësthë gjëja më negative që mund të ndodhte, por ka shprehur shpresën e tij që dyert të mos jenë ende të mbyllura.
“Kjo pikërisht është gjëja më negative që mund të mendohet. Pra, kjo nuk qe aspak e dobishme, shpresoj që kjo të mos jetë fundi i tërë cështjes. Ashtu sic thashtë të enjten, kompromis do të thotë që të dy palët të lëshojnë, të bëjnë lëshime, asnjëherë nuk arrin plotesisht atë që do dhe tani cdokush rifillon me pikat e veta dhe kjo sigurisht nuk është e pranueshme dhe ne na duhet të vazhdojmë me shpresën që dyert nuk janë krejtësisht të mbyllura, por sigurisht që nuk është aspak pozitive ajo që ndodhi javën e shkuar”, ka pohuar Bosch, duke pranuar se kriza politike në Shqipëri vazhdon.
“Në cdo rast unë nuk përfaqësoj Bashkimin Europian, por u tha mjaft qartë gjithashtu nga përfaqësuesit e BE-së, se një zgjidhje duhet gjetur dhe për sa kohë askush nuk lëviz nga qëndrimi i vet, zgjidhja nuk ka për t`u gjendur. Pra, të dyja palët duhet që të gjejnë një zgjidhje dhe tani, asgjë nuk ka ndodhur de fakto”, është shprehur Bosch.
Në fakt, socialistët tërhoqën nismën kur panë se mazhoranca nuk kishte ndërmend të pranonte hapjen e kutive, por demokratët e miratuan ngritjen e komisionit hetimor vetëm me votat e tyre. Pikërisht për këtë mënyrë të vepruari, kreu i OSBE-së në Tiranë bëri këtë koment:
“Duhet të ishte një komision me mbështetjen e të dyja palëve. Nëse bëhet fjalë për një kompromis, të dyja palët duhet të jenë dakort. Nëse vetëm njëra palë është dakort, atëherë kjo nuk është shumë e dobishme. Të dyja palët duhet të bien dakort me atë që do të bëhet. Nëse vetëm njëra palë është dakort, kjo është de fakto sikur të mos kesh asgjë”, ka nënvizuar Bosch.
Por ky qëndrim paragjykon që në fillim përfundimet e komisionit hetimor, që duhet të bëjë transparencën e zgjedhjeve.
Socialistët vlerësojnë se komisioni nuk ekziston, kurse demokratët thonë se me ngritjen e tij, cështja e transparencës së zgjedhjeve është mbyllur.
Top Channel