
Kur Majat parashikuan fundin e botës në 2012-n, së paku sipas filmit imagjinar të Hollivudit – askush nuk ia kishte idenë se rreziqet për Apokalips po krijohen edhe nga një sasi e stërmadhe borxhesh prej 700 miliardë dollarësh, të cilat janë marrë nga kompani të cilësisë së ulët, afati për pagesën e të cilave skadon mes viteve 2012 dhe 2015.
Sipas disa ekspertëve, një situatë e tillë mund të shkaktojë një katastrofë mbarëbotërore.
Borxhet në fjalë janë tërhequr nga kompani të ndryshme dhe kanë rrezik të lartë, rrjedhimisht edhe interesa të larta.
Bëhet fjalë veçanërisht për bonde korporatash. Problemi është se në këtë periudhë, pritet të ketë edhe kërkesë veçanërisht të lartë nga qeveritë e vendeve të zhvilluara për borxhe, gjë që mund të sjellë pamundësi për rishitjen e borxheve dhe falimentime në shkallë të gjerë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të duhet të tërheqin borxhe me vlerë 2 trilionë më 2012, pjesërisht për të financiar deficitin dhe pjesërisht për të zëvendësuar borxhet e mëparshme.
Për më tepër, shqetësimet mbi cilësinë e borxhit të qeverive të zhvilluara, janë aq të mëdha sa vlerësuesi Moody’s paralajmëroi SHBA-të, Britaninë e vende të tjera se “gjenden përballë rrezikut të deklasifikimit të tyre si borxhmarrësit më të sigurt të mundshëm.”
Moody’s njihet për deklarata optimiste në lidhje me borxhet e qeverive dhe korporatave, por javën e fundit, dha një paralajmërim shumë të ashpër.
“Një ortek borxhesh po akumulohet dhe mund të rrëzohet duke filluar nga viti 2012. Kompanitë duhet të përgatiten për të shmangur këtë ortek”, deklaroi një zyrtar i lartë i “Moody’s”.
Kompanitë private e kishin shumë të lehtë të merrnin borxhe përmes emetimit të bondeve para vitit 2007, kur filloi kriza aktuale. Por analistët shpjegojnë se vështirësitë për shlyerjen e këtyre borxheve mund të vijnë pas dy vjetësh nga sot.
Zakonisht, bondet e kompanive emetohen me afat pesë-shtatëvjeçar, gjë që do të thotë se do të duhet të shlyhen ose rifinancohen brenda viteve të ardhshme.
Për më tepër, shumë kompani që patën afatin për shlyerjen e borxheve në vitet 2009 dhe 2010, qenë në gjendje të shtyjnë afatet, por kjo gjë thjesht sa shtoi sasinë e maturimeve për vitin 2012 e më pas. Rezultati mund të jetë katastrofik.
Këtë vit pritet të maturohen borxhe kompanish të dobëta me vlerë të përgjithshme prej 21 miliardë dollarësh, por më 2012 maturimet pritet të rriten në 155 miliardë, ndërsa më 2013 do të rriten më tej më 338 miliardë dollarë.
Top Channel