Edicioni i 58 i Kupës së Shqipërisë ka njohur tashmë çerekfinalistët e tij. Pas përballjeve të zhvilluara dje për turin e dytë të kompeticionit të dytë për nga prestigji në futbollin shqiptar, është dalë me një verdikt, në bazë të të cilit Flamurtari i eliminuar do të duhet të dorëzojë herët trofeun, dhe bashkë me të largohen nga Kupa edhe Apolonia dhe Partizani. Ndërsa shorti i paracaktuar i turit çerekfinal ka prodhuar një finale të parakohshme Besa-Tirana.
Një sfidë që ka spikatur në turin e dytë ishte ajo mes Flamurtarit dhe Gramozit në Vlorë, ku kolonjarët kanë marrë një barazim të artë, duke u kualifikuar edhe falë rezultatit të ndeshjes së parë, të fituar 0-1. Nuk kanë munguar kontestimet e shumta të Gramozit, i cili vazhdimisht nuk ka qenë dakord me disa vendime të gjyqtarit.
Ndërkohë që sulmuesi i vendasve, Devis Mema, ka humbur një 11-metërsh. Përfundimisht, fituesja në fuqi e Kupës së 57 të Shqipërisë, Flamurtari, mbetet jashtë çerekfinaleve.
Një tjetër sfidë e nxehtë me kartonë të kuq (3 të tillë) ka qenë edhe ndeshja Fierit, ku Apolonia vendase ka fituar 2-1 me Skënderbeun, por nuk është kualifikuar dot për më tej, pasi e kishte humbur ndeshjen në Korçë 0-1. Rezultati i përgjithshëm i barabartë, 2-2, por me gol në fushën kundërshtare të Skënderbeut, i ka dhënë të drejtë atij të shkojë në çerekfinale. Tre kartonë të kuq janë dhënë në këtë sfidë, dy për miqtë dhe një për vendasit.
Në Peqin, ka mjaftuar një gol, që Shkumbini të mundë Kastriotin. Një karton i kuq edhe në këtë ndeshje për mbrojtësin Hoxha të krutanëve, çka tregon se edhe atje atmosfera ka qenë e nxehtë. Nisur nga barazimi i ndeshjes së parë në Krujë, 1-1, i takon Shkumbinit, që falë rezultatit të përgjithshëm 2-1, në favor të tij, të kualifikohet për më tej.
Kualifikim të pritshëm ka marrë Tirana, duke mundur në “Selman Stërmasi”, në ndeshjen e kthimit, Lushnjën 2-1 dhe, duke llogaritur edhe barazimin 2-2 në ndeshjen e parë, gjithçka flet për bardheblutë, në një rezultat total 4-3. Edhe Vllaznia ka kaluar në turin tjetër, pasi ka triumfuar ndaj Kamzës së Kategorisë I, me rezultatin total 5-3. E nxehtë dhe me kartonë të kuq, por edhe me incidente mes lojtarëve e stafeve teknike, ka rezultuar ndeshja mes Dinamos dhe Bylisit. Blutë e kishin humbur ndeshjen e parë në Ballsh 1-0, ndaj kanë vuajtur shumë për ta kthyer kualifikimin në favor të tyre. Megjithatë, fundi i ndeshjes ka folur për Dinamon, që e ka fituar 3-1 ndeshjen e kthimit, e luajtur në “Skënder Halili”. Teuta ka mundur 2-0 Partizanin dhe, nisur edhe nga barazimi 1-1 në ndeshjen e parë, kualifikohet për më tej.
Besa ka barazuar 1-1 në shtëpi me Laçin, por falë fitores në ndeshjen e parë, të luajtur para dy javësh, është kualifikuar. Tashmë janë përcaktuar edhe çiftet e turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Çifti më interesant, që dhe ndryshe mund të quhet si finalja e parakohshme, është Besa-Tirana. Takime relativisht të lehta për Teutën, Dinamon dhe Vllazninë, përkatësisht ndaj Gramozit, Shkumbinit dhe Skënderbeut. Ndeshjet do të luhen më 3 dhe 17. shkurt.
Top Channel