Kastrioti-Teuta, vetëm për fitore

04/12/2009 12:55

Sfida e Krujës, ndërmjet Kastriotit dhe Teutës, hap javën e 13 të Kategorisë Superiore. Një duel ku të dyja skuadrat hyjnë në fushë vetëm për të fituar.

 Të besuarit e Ramazan Ndreut (trajneri nuk do të jetë sërish në stol për shkak të pezullimit nga Disiplinori) do të kërkojnë të hedhin pas shpine humbjen e një jave më parë me Dinamon.

Objektivi është rikthimi te tri pikët, për t‘u bashkuar me grupin e ndjekësve të bluve në klasifikim, por edhe për t‘u larguar nga skuadrat që renditen në gjysmën e dytë të tabelës.

Aktualisht, Kastrioti ndodhet në vendin e pestë, me 16 pikë të grumbulluara, por ata nuk mund të ndihen kurrsesi të qetë, pasi diferenca me Flamurtarin e vendit të fundit është vetëm 6 pikë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Teutën (e gjashta në klasifikim), që ka numër të njëjtë pikësh me krutanët.

“Djemtë e detit” janë në një moment aspak të mirë: skuadra e Josës nuk fiton prej tri ndeshjesh radhazi dhe ky shihet si një shans i mirë për të ndryshuar ecurinë.

Gjithsesi, durrsakët do të jenë të kënaqur edhe me një barazim, në një fushë ku askush nuk ka arritur të dalë triumfuese përveç Dinamos në këtë sezon (3 muaj e gjysmë më parë, në javën e parë të kampionatit).

Teuta shpreson sërish se Mile me klasin e tij do të mund të bëjë diferencën, ashtu si ndodhi edhe në përballejn e mëparshme, ku bregdetarët fituan 2-1 në “Niko Dovana”, falë dygolëshit të sulmuesit beratas. Të shtunën luhen tri ndeshje, ku spikatin Apolonia-Vllaznia dhe Dinamo-Flamurtari, ndërsa java mbyllet me dy takimet e së dielës, ku Tirana udhëton në Korçë, ndërsa Besa pret Shkumbinin.

Top Channel