Programohet huamarrja per muajin tetor

28/09/2009 08:15

Ministria e Financave ka programuar te emetoje 27.7 miliarde leke bono thesari dhe obligacione per muajin tetor, shifer kjo rreth 3 miliarde me e larte se sa borxhi i emetuar ne tetor te vitit 2008. Borxhi i ri do te sherbeje pothuajse teresisht per rifinancimin e borxhit ekzistues.

Qeveria ka programuar vetem nje rritje te lehte te borxhit te emetuar ne leke ne tregun e brendshem, kryesisht per shkak se neper banka nuk ka mjaftueshmerisht depozita per te blere borxh te ri.

Sipas programit buxhetor te ndryshuar per vitin 2009, stoku i borxhit te brendshem deri ne fund te ketij viti, do te arrije ne 412 miliarde leke, rreth 10 miliarde leke (76 milione euro) me shume se sa ne fund te vitit 2008.

Borxhi i brendshem ne raport me PBB-ne do te rritet keshtu ne 35 per qind sipas llogarive te qeverise dhe 37.2 per qind po te marresh per baze vleresimin e FMN-se per PBB-ne e ketij viti.

Stoku i borxhit te brendshem dhe te jashtem do te rritet ne 674 miliarde leke (rreth 5.2 miliarde euro). Stoku i borxhit publik ne raport me PBB-ne do te rritet kete vit ne 57.3 per qind te PBB-se sipas vleresimit te qeverise dhe 61 per qind po te llogaritet ne baze te PBB-se se vleresuar nga Fondi Monetar Nderkombetar.

Bazuar ne keto llogari, borxhi publik i Shqiperise pritet te rritet me me shume se 6 per qind te PBB-se brenda nje viti, duke shenuar nivelin me te larte ne pese vite.

Borxhi publik eshte rritur kete vit si pasoje e kombinimit te zhvleresimit te lekut, rritjes se huamarrjes se jashtme e te brendshme te qeverise dhe ritmit te ulet te rritjes se Prodhimit te Brendshem Bruto te vendit tone.

Kete vit pritet te rriten ndjeshem edhe interesat e paguara per borxhin publik. Kredia shume e shtrenjte e marre ne euro nga disa banka vendese e te huaja kete vit, do te rrise ndjeshem interesat e borxhit te jashtem, nderkohe qe shtrenjtimi i bonove te thesarit dhe obligacioneve ne tregun e brendshem i ka rritur interesat.

Ne total, 31.4 miliarde leke, (rreth 240 milione euro), do te shkojne per sherbimin e borxhit, shifer kjo 10 per qind me e larte sesa vitin e kaluar. Shqiptaret do te paguajne 3.7 per qind te PBB-se kete vit per borxhet e qeverise, nga 3.4 per qind qe paten paguar vitin e kaluar.

Statistikat e borxhit publik ne Shqiperi pasqyrojne vetem borxhet e kontraktuara nga qeveria apo institucionet e ndryshme shteterore nen garancine e qeverise, por nuk perfshijne borxhe te panenshkruara, si p.sh., kontributet e sigurimeve shoqerore e shendetesore.  

Top Channel