Shkoder, kerkohen eshtrat e te pushkatuarve

18/08/2009 08:35

Nisin kerkimet per eshtrat e dy organizatoreve te revoltes se Qafe Barit, te vitit 1984.

Nje grup te perndjekurish politike kane nisur dje paradite germimet ne periferi te qytetit te Shkodres per gjetjen e eshtrave te dy shokeve te tyre te pushkatuar pa gjyq, nga regjimi komunist. Por megjithese germimet u perqendruan ne vendin ku dyshohej se ishin groposur trupat e Sokol Sokolit dhe Tom Ndojes, nuk eshte gjetur asnje gjurme prej tyre.

Nderkohe perfaqesuesit e ish te perndjekurve politike kerkojne ndihmen e shtetit per gjetjen e trupave te martireve te demokracise. Ata i bejne apel shtetit te mos qendrojne indiferent, nderkohe qe akuzat e tyre shkojne dhe me tej, pasi sipas tyre, organizatoret e masakres se 25 viteve me pare, sot jane ne poste drejtuese. Madje, nje nga personat kryesore qe organizoi masakren e Qafe Barit, ne vitin 1991, u be deputet i Partise Demokratike.

Kerkimet per gjetjen e eshtrave te dy te pushkatuarve Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja kane nisur dje paradite, ku krahas te perndjekurve politike, kane qene te pranishem dhe familjare te dy te pushkatuarve. Vendi ku dyshohej se gjendeshin eshtrat e tyre ndodhet ne periferi te qytetit, ne afersi te fshatit Kuq, ku prej dekadash ngrihet nje antene perforcuese e valeve te Radiotelevizionit Publik Shqiptar. Madje ka qene nje nga punonjesit e vjeter te ketij institucioni, ai qe ka dhene informacionin per vendndodhjen e eshtrave te dy te pushkatuarve.

Sipas informacioneve te marra, dyshohej se trupat jane groposur rreze gardhit rrethues te institucionit, rreth 30 metra larg nje kabine elektrike. Ne kete vend jane perqendruar dhe germimet dje, por ende nuk eshte arritur te gjenden gjurme per vendndodhjen e eshtrave te dy pushkatuarve.

Nderkohe sekretari i pergjithshem per integrim i Shoqates te te Perndjekurve Politike, Besmi Ndregjoni, ne nje komunikim me mediat, eshte shprehur se ne Shqiperi nuk do te kete qetesi, per sa kohe nuk gjenden eshtrat e kater mije personave te vrare nga diktatura komuniste. Sipas tij: “Qe prej 18 vitesh te gjitha qeverite kane heshtur dhe ate qe po bejme ne sot duhej ta bente shteti, pasi keta te rene jane pikerisht ata qe dhane jeten per demokracine dhe eshte absurde qe nje vend qe aderon ne NATO te kete 4 mije te pushkatuar per demokraci qe nuk u dihen varret”.

Nderkohe zona ku dyshohet te jene groposur dy te pushkatuarit e asaj qe njihet si masakra e Qafe Barit, eshte nje vend qe perdorej nga sistemi i dikurshem per zhdukjen e trupave te rebeleve antikomuniste. Ne kete vend mendohet se jane groposur trupat e dhjetera trupave te personave qe jane pushkatuar pa gjyq, ku nje pjese e eshtrave tashme jane gjetur, ndersa nje pjese kerkohet ende sot.

Top Channel