
Zlatan Ibrahimoviç është zyrtarisht një lojtar i Barcelonës. Ai ka firmosur dje një kontratë 5-vjeçare. Klauzola për prishjen e kontratës së tij është 250 milionë euro.
Gjatë prezantimit, ai puthi fanellën me numër 9, që më parë mbahej nga Eto’o. Sulmuesi suedez është shprehur: “Faleminderit Morati, por tani dua të hedh një hap përpara për të mirën e karrierës sime. Kisha një marrëveshje me Moratin prej disa muajsh, vetëm Barcelona mund dhe donte të më blinte. Tani askush nuk është më i lumtur se unë”.
Më pas ka folur për Champions League: “Nuk e di përse nuk e kam fituar asnjëherë. Kam dhënë më të mirën, por nuk ia arrita. Ardhja këtu për të luajtur me Mesin, Ksavin, Injestën, Dani Alvesh, Pujol e Pike është një nder. Dua të mësoj nga këta kampionë. Ka shumë klube të mëdha, por Barcelona është speciale. Çdo lojtar do të dëshironte të vinte te Barça, por jo të gjithë munden. Kur mora vesh se Barcelona ishte e interesuar për mua, i thashë menaxherit tim të niste tratativat dhe ai ka bërë një punë fantastike. Kam ardhur këtu me kualitete që të gjithë mi njohin. Luaj një futboll teknik, si Barcelona, dhe dëshiroj ta ndihmoj skuadrën. Ata që më njohin si futbollist, e dinë çfarë mund të bëj. Po ashtu dëshiroj të mësoj nga loja e Barcelonës”.
Objektivi i ardhshëm i tij do të vazhdojë te jetë goli: “Ideja ime është gjithmonë ajo e përmirësimit në krahasim me vitin e kaluar, ku kam shënuar 25 gola. Nuk dëshiroj të fiksohem në një numër, sepse jam këtu për të ndihmuar skuadrën dhe për të fituar, më shumë se se sa për të shënuar një numër të caktuar golash”.
Top Channel